Presidenti Ilir Meta iu bëri thirrje të gjitha partive politike që të mos intimidojnë votuesit në zgjedhjet e 25 prillit.

Gjatë një takimi online me përfaqësues të shoqërisë civile, Kreu i Shtetit deklaroi se duhen ndërgjegjësuar qytetarët që të votojnë dhe të kuptojnë se fuqia e tyre në demokraci është pikërisht vota e tyre.

Mes të tjerash, Kreu i Shtetit bëri një deklaratë të fortë lidhur me zgjedhjet e 25 prillit, teksa tha se nuk pret nga drejtësia që të sigurojë zgjedhje të lira e të ndershme.

“Nuk pres nga drejtësia të vijnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme sepse i dimë të gjithë problemet që ka sistemi i drejtësisë dhe për vetë mënyrën se si është zbatuar Reforma e Drejtësisë. Nëse do kishte funksionuar Prokuroria dhe SPAK, nuk do kisha marrë inisiativat që kam nisur. Bundestagu ka vite që kërkon hetimin e krimeve zgjedhore, që ende nuk po hetohen plotësisht.

Do të jetë vota e qytetarëve që do të vendosë dhe jo parimi stalinist, që s’ka rëndësi kush voton, por numërojmë ne. Kjo punë ka marrë fund njëherë e përgjithmonë. Është detyra jonë të edukojmë të gjithë qytetarët që fuqia e tyre në demokraci është vota e tyre. Vota e tyre zgjedh, vota e tyre ndëshkon, çon përpara demokracinë, e forcon dhe përmirëson atë. Partitë të paraqesin alternativat e tyre dhe jo të intimidojnë votuesit, se kjo është e papranueshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb