BELSH- Pas deklaratës së deputetes së LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila sugjeroi mbjelljen e shafranit si një mundësi për largimin e popullsisë nga kultivimi i kanabisit, ka ardhur dhe një reagim nga socialisti Taulant Balla, i cili e ka hedhur poshtë këtë propozim. Gjatë një takimi që ka zhvilluar në Belsh, Balla pohoi se nuk ka kohë për eksperimente, ndërsa tha se do kërkojnë që prodhimi i duhani të subvencionohet nga shteti.

“Unë nuk mendoj që ne merremi me kundërpërgjigje. Kjo është më shumë se kaq. Në kuadër të programit tonë për bujqësinë mendojmë se duhani është një prej kulturave bujqësore më të rëndësishme që ka zona e Bleshit, Cerrikut, por edhe zona të tjera kanë. Kjo është një kulturë e sprovuar në këto anë. Ka mbi 50-60 vjet që në këto anë prodhohet duhan. Vetëm Belshi, në fund të viteve ’80 prodhonte deri në 3 mijë tonë duhan dhe kjo e përkthyer në vlerë financiare është një vlerë shumë e madhe. Sot së bashku me një nga kompanitë më të mëdha në Europë, siç është SEKE, kemi arritur që të krijojmë një komunikim me shoqatën e prodhuesve në mënyrë që i gjithë duhani, prodhimin e të cilit fermerët nuk e kanë ndërprerë asnjëherë t’i garantohet tregu. Jam i sigurt që me këto ofertues të rinj për blerjen e prodhimit ne do të kemi siguri për fermerët tanë, kështu që më shumë se sa të bëjmë prova, jemi më të fokusuar drejt prodhimit të një produkti i cili ka dhënë garanci që në këtë zonë bëhet, që fermerët tanë kanë eksperiencën e duhur për trajtimin e tij. Jemi në drejtimin e duhur për kultivuar një prodhim bujqësor që ka rendiment shumë të lartë krahasuar me kultura të thera bujqësore”, – tha Balla.
Balla ne Belsh
Kryemadhi propozoi që qeveria të mbështesë qoftë edhe ekonomikisht, mbjelljen e bimës së shafranit. Sipas deputetes, nëse qeveria do subvenciononte shafranin do i largonte kështu njerëzit nga mbjellja e paligjshme e kanabisit. “I bëj thirrje gjithë qytetarëve që të shkojmë sa më shumë drejt kultivimit të bimëve që do të përmirësojnë dukshëm dhe jetesën e qytetarëve. Dhe jemi në zonën ku duhet të mbillet shafran. Përveçse luftojmë kundër kultivimit të kanabisit largojmë njerëzit nga mentaliteti në shërbim të kësaj bime të krimit të organizuar por kultivojmë ndërkohë produkte tejet elitare. Është një zonë kjo e Dumresë, Cërrikut, Peqinit e Gramshit që është shumë e mirë për kultivimin e shafranit. Ndihmon në biznese familjare por edhe në punësimin e madh të grave”, – tha pak ditë më parë Kryemadhi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb