TIRANE- Kryeministri Edi Rama prezantoi sot një tjetër aksion kombëtar për pastrimin e mjedisit “Pastrojmë Shqipërinë që duam”, aksion që sipas tij, do të kthehet në një operacion afatgjatë.

Kreu i qeverisë tha se një pjesë e konsiderueshme e këtij inspektimi ndaj krimit mjedisor do t’i kalojë Policisë së Shtetit. Rama u shpreh se në hartën e Shqipërisë aktualisht ndodhen 9000 grumbullime plehrash, dhe u zotua se për 6 muajt e parë të vitit 2018, ndotja do të ulet ndjeshëm dhe do ketë masa drastike ndaj kujtdo që ndot mjedisit.

9000 vende grumbullimi plehrash janë një kosto e tmerrshme, që askush nuk mund ta mbajë, e t =ë rrijë i qetë pa e parë këtë kosto të zbresë në 0, këtu kërkohet një reformë që e kemi nisur, reforma e inspektoriateve, dhe besoj që brenda këtij 6 mujori do bëjmë një transformim të kulturës së inspektimit dhe faktikisht një pjesë e konsiderushme e inspektimit do i kalojë policisë së shteti. Ata s’mund t’i rrinë larg këtij aktiviteti të qytetarëve. Krimi mjedisor do jetë në detyrat e përditshme të policisë së shtetit,” tha Rama.

Sipas tij, është e papranueshme dhënia e 1 mijë lejeve mjedisore pa asnjë kriter.
Ne kemi bërë një reflektim të gjatë dhe të thellë për ti dhënë vazhdimësi këtij aksioni duke e kthyer në një operacion afatgjatë dhe për ta shoqëruar të gjithë këtë proces me disa ndërhyrje të rëndësishme të natyrës ligjore dhe me disa ristrukturime të rëndësishme brenda për brenda mekanizmit të qeverisjes në mënyrë që çdo vit kur dita e këtij aksioni të vijë Shqipëria të jetë me e pastër se një vit më parë. 1 mijë leje mjedisore që janë lëshuar pa kriter dhe pa karar dhe më pas nuk ka ndodhur asgjë në monitorimin e respektimit të tyre dhe prandaj sot kemi situata dramatike, plagë të hapura në territor në të gjitha aspektet e këtij fenomeni të tmerrshëm të ndotjes që prek kudo, prek trupin e vendit, trupin e njeriut pa mëshirë si rezultat i mos marrjes së përgjegjësisë“,- tha ai.

Duke folur më tej për aksionin 6 mujor, i pari i qeverisë nënvizoi: “Në shifrat zyrtare thuhet se një individ 400 kg mbetje në vit, nga të cilat 40 kg shkojnë për riciklim, pjesa tjetër nuk dihet ku shkon. Janë fotografuar vend hedhje pa kriter, pa karar, plehrash në të gjithë hartën e Shqipërisë. Ky vend ka vetëm një mundësi reale për të qenë konkurrues në një treg shumë të hapur, për të shfrytëzuar bukurinë e vet që ja ka falur Zoti. Është aset që çdo njeri prej nesh duhet ta ruajë si dritën e syve. Gjithë ky shpërdorim i kësaj bukurie, apo përdhunim i trupit të bukur të Shqipërisë kthehet në dëm me shumë kosto për shëndetin tonë, të fëmijëve tanë, për çdo akt papërgjegjshmërie që secili bën. Çdo ditë do jemi të angazhuar me të gjitha forcat në territor, duke vënë në dispozicion të operacionit të gjitha mjetet e mundshme, në mënyrë që Shqipëria turistike të jetë shumë më e lehtësuar nga barra e plehrave. Në këto 6 muaj do bëjmë ndërhyrje të rëndësishme për të ndërtuar mekanizma efikasë, që ajo që do arrijmë në 6 muaj mos të përmbyset në 6 muajt e ardhshëm por të përparojmë nga starti. Kjo kërkon aleancë më të gjerë me njerëzit, rritje të ndjeshmërisë dhe nivel të ri edukimi. Eksperienca e shumë vendeve ka mësuar që fëmijët janë avokatët më të mirë, dhe janë ata që luajnë rolin e prindit mbi prindin për të frenuar sjelljet abuzive të prindërve në raport me mjedisin“.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb