Edmond Bejtja, drejtori i një kompanie nafte që akuzohet nga banorët e fshatit Visokë se ka shkatërruar me makineritë e rënda rrugët e fshatit, ka fyer gazetarët gjatë një komunikimi me ta. Ndërkohë që bashkë me banorët, mediat po i kërkonin informacion për atë që ka ndodhur me mjetet e firmës që drejtohet prej tij, me cigare në dorë, Bejtja ka ofenduar një gazetare lokale duke iu kërkuar të tjerëve të heshtin.

Debati ndodhi paraditen e kësaj të hëne kur banorët e Visokës dolën në protestë për shkak të dëmtimit që i është bërë rrugës nga mjetet e tonazhit të rëndë. Bejtja si titullar i kompanisë tha se pretendimet e banorëve nuk qëndrojnë ndërsa pranoi se dëmtimet e rrugës kanë lidhje me kalimin e makinave të kësaj kompanie.

“Rrugët do riparohen. Në Visokë jemi e vetmja kompani. Me banorët po flas tashi, mos ma çaj trapin dhe ti shumë. Lër të flasin ata. Pa edukatë jam. Pusho ti tani! Rri urtë tashi. Rrini urtë. Kujt i thashë?! Herën tjetër jemi takuar bashkë. Prit tani, ai aty po provokon”, thotë ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb