VLORË

Është shoqëruar me zhurmë e indinjatë nga familjarët seanca e sotme në gjykatën e Vlorës për 5 rojet bregdetare të arrestuar nga policia për shpërdorim detyre.

Gazetari Enrik Mehmeti raportoi për “BalkanWeb” se Gjykata e Vlorës ka vendosur të lërë në burg 5 rojet bregdetare të cilët akuzohen se gjatë operacionit për ndalimin e një gomoneje me emigrantë në grykëderdhjen e Vjosës, gjatë evakuimit të personave në bordin e mjetit lundrues, nuk kanë ndaluar drejtuesin e mjetit lundrues.

Por vendimi është kundërshtuar dhe prej tyre dhe nga familjarët që ishin të pranishëm. Ata i kanë cilësuar heronj 5 burrat që shpëtuan emigrantët.
“Shpëtuat njerëzit në 6 ballë det, jeni heronj. Jeni burra, jeni heronj. Mos e çani kokën”, tha një prej tyre.
Një prej të akuzuarve tregoi se janë zhytur në det për t’i shpëtuar emigrantët gjatë operacionit duke pyetur se si mund të akuzohen për shpërdorim detyre. “Këta janë heronj. Ky u zhyt në det nxori fëmijët. I kemi çuar 18 në gjendje të rëndë. Ne e bëmë detyrën, tani më thoni çfarë shpërdorimi detyre kam bërë unë. Ik shikojini në spital, fëmijë e gra”, tha një prej të akuzuarve.
Një grua tjetër kërkonte të qetësonte të afërmin e saj pas kafazit.
“Mos më qaj se të kam shpirt. Nuk ke bërë gjë”, dëgjohet të thotë ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb