Deputeti demokrat, Dashnor Sula, ka debatuar me Pandeli Majkon, pas akuzës që bëri nga foltorja e Kuvendit se në lokalin e Parlamentit pihet puro dhe hashash.

Kjo deklaratë revoltoi mazhorancën, ku kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, i kërkoi deputetit Sula të kërkojë falje për deklaratën, ndërsa deputeti Majko tha se duhan mund të pinë shumë kolegë dhe nuk janë fajtorë për këtë gjë.

Debati:
Sula: Mos mi bëj duart ashtu Pando, se u kap me 20 kg Kajmaku. Ngrini zërin, vini fre qeverisë.

Majko: Shpesh për t’u bërë të besueshëm, ne i biem vetes, e kam fjalën për politikën. Ka shumë kolegë që për arsye të ndryshme pinë duhan, dhe nuk janë fajtorë, por ta trajtosh këtë sikur po ju vret e po ju hapet zemra për fshatarët, mendoj se është e gabuar. Duke dashur të bëhemi të ndjeshëm, shfaqim të kundërtën. Dua t’iu kujtoj diçka, që ju jeni pjesë e opozitës, që tenton të përfaqësojë moralin e shoqërisë, dhe kur ju shikon juve se si jeni sot, mendoj se duhet të jeni të vetëdijshëm, se para se t’i kërkoni mazhorancës, duhet të ktheni dhe kokën nga vetja.

Sula: Me gjithë respektin që kam për z. Majko, ndihem i zhgënjyer me këtë qasje që ka për mua dhe për opozitën. Unë e kam thënë, nuk i përkas vetes sime dhe familjes sime, unë iu përkas atyre qytetarëve atje dhe në raport me të vërtetën do i them gjërat siç janë. Kujt i pëlqen dhe kujt nuk i pëlqen është në zgjedhjen e tij. Është në nderin e këtij parlamenti që ka burra të nderuar, zonja të nderuara të mos shohim deri te gardhi jonë, te porta jonë, te paga jonë, te privilegjet që kemi ne, por ta shtrijnë syrin përtej. Jam pasionant se më dhemb shpirti. Nuk jam hipokrit. Ky jam i tillë dhe kështu do të vdes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb