MALËSI E MADHE

Kryeministri Edi Rama ka kërcënuar sërish shqiptarët që votojnë për opozitën se nuk do të ketë bashkëpunim me bashkitë ku do të fitojnë të zgjedhurit e saj.

Rama tha se nuk ia vlen të rrish 4 vjet me kazanin që e kanë mbuluar plehrat para shtëpisë, ndërkohë që në të gjithë bashkitë e tjera ky nuk është më problem.

Kreu i qeverisë iu tha qytetarëve në Malësi të Madhe të mos ua vështirësojnë punën që kanë përpara duke vënë njerëz që e kanë mendjen mbrapa.

“Për cilën arsye Malësia e Madhe duhet të ndërrojë drejtim. Për cilën arsye, për politikë? Ok, nuk duan të më shohin me sy mua? Kjo është gjëja më e thjeshtë në botë. Pse duhet të më shohin, mos të më shohin fare. Ju dal dhe në televizor, por tani do dal dhe në TV, por e kanë kollaj të më pushkatojnë me një sustë të telekomandës dhe shkojnë direkt nga unë te syri i zorrës qorre dhe kënaqen atje. Kënaqen me përralla. Mirëpo përrallat janë për të kaluar kohën e lirë, politika e madhe në kafenetë e Malësisë së Madhe është për të kaluar kohën e lirë. Vota nuk është për të kaluar kohën e lirë dhe vota nuk është tifozllëk. Vota është që ti të marrësh në punë ata që do të shërbejnë për 4 vite. Që ti të marrësh në punë ata që duhet që kur të dalësh nga shtëpia, rruga të jetë e pastër. Kazanët e mbushur me plehra i gjen vetëm në Shkodër, sepse Shkodra nuk na e kanë dhënë asnjëherë shansin për tifozllëk, për politikë, për një fiksim.
Ia vlen të rrish 4 vjet me kazanin që e kanë mbuluar plehrat para shtëpisë, ndërkohë që në të gjithë bashkitë e tjera ky nuk është më problem, sepse ti je tifoz?!
Kur shkon në pazar për të marrë kalin e ri për karrocën, nuk e sheh kalin nga ngjyra. As nuk pyet nëse ai që po ta shet kalin është komunist apo është antikomunist, por merr kalin që të duhet për karrocën. Nuk thua jo, kalin e paska ky komunisti, po shkoj po marr gomarin e demokratit se s’ta tërheq karrocën, s’ta bën punën.
Kur çoni fëmijët në shkollë apo në kurs për të mësuar anglisht nuk pyesni me kë është mësuesi. Vota sidomos ajo e zgjedhjeve vendore është kaq e thjeshtë. Unë e kam thënë dhe e përsëris prapë. Mos na vështirësoni punën që kemi përpara duke na vënë njerëz që e kanë mendjen mbrapa.
Nuk ju ndihmojmë dot, jo sepse ne nuk duam, jo sepse ne nuk do bashkëpunojmë dhe do të lëmë mbrapa një komunitet të tërë pse vuri në krye një njeri të papërshtatshëm, por sepse nuk është e mundur.
Ne për Shkodrën kemi bërë më shumë se sa ata në të gjitha vitet në qeveri”, deklaroi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb