Nëse Real Madrid ka vendosur t’i shkojë deri në fund fiksimit të tij për Kylian Mbappe, Barcelona është kundërpërgjigjur duke bërë të njëjtën gjë me Erling Haaland. Mbrojtësi i katalanasve, Gerard Pique, si dhe presidenti Laporta, kanë zgjedhur dy mënyra të ndryshme për të ftuar sulmuesin e Dortmundit që t’i bashkohet katalanasve në verë.

Mbrojtësi i Barcelonës e ka ftuar Haaland t’i bashkohet “Blaugranave” duke përdorur një këshillë, ndërsa numri një i klubit, gjatë prezantimit të Abumeyang ka pranuar se ka kohë që po punon për një goditje të madhe në verë.

Duke folur për “Football Espana” ai ka ndërhyrë në diskutimin e madh në merkato nëse Haaland dhe Mbappe mund të përfundojnë të dy së bashku te Real Madrid.

Këshilla e Pique – “Haaland është një lojtar i shkëlqyer, me aftësi të jashtëzakonshme. Ai ka ambicie, dëshiron të fitojë dhe ‘Topin e Artë’. Por, nëse do të isha në vendin e tij dhe me të njëjtat synime si ai do të shmangia një transferim në të njëjtën skuadër me Mbappenë”.

Laporta – Ndërkaq, presidenti i Barçës, Joan Laporta, në ditën e prezantimit të Aubameyang ka folur edhe për Haaland, ndonëse pa e përmendur me emër specifikisht.

“Aubameyang është një lojtar që do të na bëjë shumë punë. Por, ne kemi nisur nga puna për përforcimin e skuadrës për në verë ku kemi planifikuar një emër shumë të rëndësishëm”, – ka thënë Laporta, duke iu referuar pikërisht yllit të Dortmund.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb