Ambasadori i Gjermanisë Peter Zingraf ka reaguar lidhur me zgjedhjet lokale të 14 majit. Në mesazhin e tij, Zingraf u bën thirrje qytetarëve ku në fokus ka të rinjtë, që të mos neglizhojnë këtë proces të rëndësishëm por t’i drejtohen kutive të votimit dhe të shfrytëzojnë të drejtën qytetare.

“Zgjedhjet vendore ditën e diel janë jo vetëm një gur kilometrazhi i rëndësishëm për vetë Shqipërinë, por edhe një tregues për progresin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Me votën tuaj ju mund t’i jepni formë të ardhmes së Shqipërisë dhe të forconi më tej demokracinë e saj. Për këtë qëllim zgjedhjet duhet të jenë të drejta dhe transparente – kjo përbën bazën e demokracisë. Ndaj dua t’u them në mënyrë të veçantë të rinjve në vend: Informohuni, shkoni në zgjedhje, merrni pjesë në procesin demokratik, jepuani votën tuaj kandidatëve me integritet, refuzoni të gjitha përpjekjet për manipulim dhe mungesë transparence. Gjermania do të vazhdojë ta shoqërojë Shqipërinë si një partner i fuqishëm në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, përfundon Zingraf mesazhin e tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb