Herën e fundit që Valentina Zavadsky pa nipin e saj, ai po kthehej në front në lindje të Ukrainës.

“Mos u shqetëso, gjyshe, unë do të kthehem pas disa muajsh”, i tha Oleksi teksa largohej nga shtëpia e tyre në Bucha, qyteti jashtë Kievit ku u zbuluan vrasjet e para masive të civilëve nga trupat pushtuese ruse vitin e kaluar.

Ishin ato masakra civile që e shtynë Olekin, 28 vjeç, të bashkohej me forcat çlirimtare, vendim pas të cilit gjyshaj e tij u evakuua në Kiev ndërkohë që Bucha ishte nën sulmet raketore të Moskës.

I riu ndërroi jetë 40 ditë më parë në një përleshje me armë në Bakhmut , qyteti i rrënuar në Donbas ku qindra ushtarë ukrainas janë vrarë muajt e fundit në luftimin më të ashpër të ndodhur së fundmi.

“Ai ishte një hero i vërtetë”, tha Valentina, 68 vjeç, duke qarë ndërsa qëndronte pranë varrit të tij në dëborën që binte, duke vendosur karafila të kuq që simbolizonin dashurinë dhe sakrificën mbi varrin e ushtarit të ri.

Ajo puthi kryqin prej druri që mbante imazhin e Oleksit, duke buzëqeshur.

Në varrezat në Bucha, gratë zbrazën xhepat e tyre nga ëmbëlsirat dhe biskotat që i vendosën mbi varrin e Oleksit dhe ato të shokëve të tij, një traditë ukrainase për t’u siguruar që Parajsa për ta të jetë e ëmbël.

“Ai kishte menduar të martohej në prill”, tregon gjyshja e tij, duke treguar se si nusja e ardhshme e Oleksit, Anya, kujdeset për varrin e tij çdo ditë, duke vendosur tulipanë të freskët, trëndafila dhe karafila.

Në vend që të festonin dasmën e tij, 500 miq dhe fqinjë morën pjesë në funeralin e tij muajin e kaluar.

Së shpejti rruga në Bucha ku ai jetonte me Valentinën do të riemërohet në nder të tij.

“Të gjithë ushtarët tanë po vdesin. Ju lutemi na jepni armë për t’i hequr qafe”, ishte apeli i Valentinës, duke iu referuar ushtarëve rusë, të cilët ajo refuzon t’u përmendë edhe emrin pasi mendon se kështu do t’i nderonte.

“Unë dua që të gjithë ata të vdesin”, përfundoi ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb