Gazment Koduzi anëtar i kryesisë së PD të drejtuar nga kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj, ka treguar arsyet pas vendimit që të mos dilet me kandidatë për kryebashkiakë në të 61 bashkitë e vendit.

Ai u shpreh se në mbledhje ka pasur përplasje të forta mendimesh dhe se një vendim i tillë është marrë duke menduar më të mirën për PD në këtë situatë që ndodhet tani.

Koduzi ka shtuar se kanë qenë degët ato që kanë ndikuar në marrjen e një vendimi të tillë, me analizën se ku ka potencial për të fituar e ku jo.

Ndërkohë analisti Fatos Lubonja, në një lidhje skype, ka deklaruar se duhet sqaruar nëse baza për të cilën flitet është e Berishës, e Alibeajt apo është një për të dyja.

Pjesë e diskutimit:

Koduzi: Ka pasur debate e mendime, në PD ka debate e mendime, kjo tregohet edhe në kohëzgjatjet e mbledhjeve. Secili ka thënë mendimin e vet dhe kjo është normale. PD nuk është në ditët e saj më të mira. Ky opsion që u arrit në një kompromis është më i miri në PD për situatën ku jemi tani. Në 61 bashkitë kemi dalë me emra për këshillat, kemi dal me kandidat për Tiranën, ku është një garë edhe politike. Kemi nxjerrë kandidatët ku degët mendojnë sepse kemi potencial për të fituar. Në qytetet e vogla shihet për një vend pune e nuk shohin politikën e madhe apo se çdo të ndodhë në 2025. Kështu e kanë parë të arsyeshme degët.

Lubonja: Këta nuk mbajnë dot as përgjegjësinë, ia kanë lënë në dorë degëve. Nga ana tjetër nuk di kush janë degët, janë një apo dy degë. Duhet sqaruar kjo. Është një degë e Berishës e një e këtyre apo është vetëm një. Pse është vendosur që në Tiranë po ndërsa në Durrës jo. Në dy të famshmet Kuvende si i kanë quajtur të dhjetorit, 11 dhe 18 dhjetor, partia, këshilli i famshëm ka qenë nga ana tjetër, që aty duhet të ishte mbyllur kjo histori. Se kush ishte mazhoranca e bëjnë të qartë jo vetëm zgjedhjet e 6 marsit por edhe faktet e fundit. Kemi të bëjmë me një grupim që tentoi të marrë partinë me ndihmën e Ramës e amerikanëve, këta bënë gabimin politik e nuk duan të tërhiqen nga gabimi politik.

Koduzi: Zgjodhëm këtë sepse ishte më e mira për PD. Ka pasur përplasje të forta. Shihni gjuhën e përdorur nga të dyja palët. Gjithmonë ka pasur gjuhën e dorës së shtrirë të palës tjetër dhe sulmin ndaj qeverisë, ndërsa pala tjetër ka pasur të kundërtën.
Eni Vasili: Berisha ka qenë i butë me Ramën po thoni?

Kaduzi: Aktet flasin. Ka qenë komisioni për inceneratorët, kandidati sot për bashkinë e Tiranës nuk e ka votuar në Parlament me sebepin që nuk e lexova më parë. Aktet flasin, jo fjalët. Kjo është rruga që kemi zgjedhur sepse jemi të qartë që pas 14 maji PD do ringrihet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: