TIRANE

Ish-presidenti Bujar Nishani deklaroi mbrëmjen e sotme se pasardhësi i tij Ilir Meta mund të ketë më shumë se një arsye që nuk dekretoi emrin e Sandër Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm.

Në një lidhje nga një tjetër studio për emisionin ‘Dritare me Rudinën’ në ‘News24’, Nishani kritikoi deklaratën e Ramës sot në Kuvend, ku tha se; ‘nëse është ajo arsyeja që ma ka thënë në zyrë, nuk do dëshiroja që të kisha një president qesharak’. Sipas Nishanit kjo gjë është e papranueshme.

“Unë besoj dhe sa kam arritur të kuptoj nga artikulimet e këtyre ditëve si nga Presidenti ashtu dhe nga kryeministri, argumentet e sotme ishin të papërshtatshëm për një kryeministër. Unë besoj që Presidenti i Republikës ka më shumë sesa një arsye për mosdekretimit të zotit Lleshi. Sot dëgjuam në parlament kryeministrin publikisht se në takimin që pati presidenti i ka dhënë një arsye që Rama e quajti qesharake. Presidenti nuk është i detyruar që të njoftojë publikisht arsyet e tij, veçanërisht në rastet kur ne nuk e dimë se çfarë ka në dokumentet që kanë ardhur në zyrën e Presidentit nga prokuroria, ushtria, SHISH apo KLSH. Neve na dha një argument kryeministri sot në Kuvend. Ai lexoi letrën e presidentit, çka është jo qytetare dhe jo civile në këndvështrimin tim. Nga ana tjetër kryeministri tha se ‘nëse është ajo arsyeja që ma ka thënë në zyrë, nuk do dëshiroja që të kisha një president qesharak’.

Nëse ka një arsye dhe argument që ia ka dhënë kryeministrit do të thotë se presidenti paska arsye kushtetuese. Unë besoj që nëse ka ndonjë njeri që beson se presidenti i Republikës, edhe në rastin aktual zoti Meta që ka një eksperiencë të gjatë, mund të marrë një veprim të tillë për të mosdekretuar një ministër për arsye personale, kjo është naive. Kështu që ne duhet të dimë dhe duhet të shohim se çfarë janë ato shkresa që i kanë shkuar Metës. Nëse kryeministri u tha shqiptarëve që Meta i ka dhënë një arsye, atëherë ai duhet t’ua thoshte shqiptarëve atë arsye që sipas tij ishte qesharake.”, tha Nishani.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb