Departamenti Amerikan i Shtetit u shpreh të premten tejet i shqetësuar nga njoftimet se Rusia ka bllokuar llogaritë bankare të Radios Evropa e Lirë. Deklarata u bë nga zëdhënësja e departamentit Jalina Porter. Zonja Porter shtoi se ky akt është një përpjekje e re e Rusisë për të shtypur mediat e pavarura dhe për t’i mohuar popullit rus qasjen tek lajmet objektive.

Llogaritë bankare të Radio Evropa e Lirë në Rusi u ngrinë pas një vizite në zyrat e kësaj agjencisë amerikane në Moskë, nga përmbarues të vendimeve gjyqësorë.
Veprimi erdhi pasi agjentët e Shërbimit Përmbarimor të Gjykatës Federale filluan më 14 maj procedurat kundër degës ruse të Radios Evropa e Lirë mbi gjoba të papaguara, të grumbulluara për shkak të shkeljeve të ligjeve të debashtueshme të Rusisë, mbi “agjentët e huaj”.

Shërbimi i përmbarimit i dërgoi Radios Evropa e Lirë një vendim gjykate që e autorizonte atë për të kërkuar llogaritë bankare të organizatës si dhe për t’i ngrirë ato.

Banka me qendër në Moskë ku ndodhen llogaritë e radios, u urdhërua nga shërbimi i përmbarimor të bllokojë llogaritë e agjencisë, në mënyrë që të sigurohet pagesa për gjobat e papaguara në një shumë prej 68,000 dollarësh.

Procedimi ka të bëjë me 10 ankime në gjykatë, për të cilat ka skaduar periudha dy-mujore brenda së cilës duhet të ishin kryer pagesat.

Më herët gjatë ditës së sotme (14 maj), përmbaruesit shpenzuan rreth dy orë në zyrat e radios në Moskë dhe mbajtën një inventar të pajisjeve. Ata nuk ndërhynë në veprimtarinë e zyrës si dhe nuk ndaluan askënd.

Që nga fillimi i vitit, agjencia shtetërore e monitorimit të mediave Roskomnadzor ka paraqitur në gjykata rreth 520 ankime në lidhje me shkeljet e ligjit sipas saj nga tetë projekte të radios, të përfshira në regjistrin e Ministrisë së Drejtësisë mbi “agjentët e huaj” në media.

Radio Evropa e Lirë refuzon emërtimin “agjent i huaj” dhe ka refuzuar të pajtohet me kërkesat e ashpra të Roskomnadzor-it që secili artikull i botuar apo material i transmetuar të përfshijë etiketime të spikatura. Radio ndodhet në proces apelimi të ankimeve, por gjykatat ruse deri më tani kanë refuzuar më shumë se 250 kërkesa të saj.

Në total, gjobat ndaj transmetuesit arrijnë në rreth 950,000 dollarë.
Radio Evropa e Lirë i ka kërkuar Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të ndalë Rusinë që të zbatoje vendimet lidhur me gjobat, për të cilat agjencia amerikane, thotë se synojnë të mbysin median e pavarur.

Gjatë një konferencë për shtyp më 13 maj, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova hodhi poshtë akuzat e zyrtarëve amerikanë se veprimet e Moskës kundër radios “janë shkelje e drejtave të gazetarëve”.

Deklaratat tha ajo “provojnë edhe një herë rolin e vërtetë të radios si zëdhënëse e propagandës së qeverisë amerikane”.
Presidenti i radios Jamie Fly hodhi poshtë deklaratat e zonjës Zakharova, duke thënë se kompania do të vazhdojë të luftojë ndaj “përpjekjeve të Kremlinit për të censuruar të vërtetat e hidhura”.

“Gazetarët e radios në Rusi janë shtetas patriotë rusë jo amerikanë”, tha ai. “Ata ofrojnë lajme dhe informacione të pavarura në mënyrë që bashkëqytetarët e tyre të mos mësohen me të pavërtetën e të jetojnë me gënjeshtra, siç ka thanë njëri prej këtyre gazetarëve kohët e fundit”.
“Ne nuk do të heshtim dhe nuk do të braktisim audiencën tonë ruse”, tha zoti Fly.

Gjithashtu më 13 maj, Agjencia Shtetërore ruse e Lajmeve TASS njoftoi se një gjykatë në Moskë kishte pezulluar 140 ankime kundër radios dhe i kishte dërguar sërish çështjet për shqyrtim në një gjykatë më të ulët. Por Radio Evropa e Lirë thotë se nuk është informuar zyrtarisht për një vendim të tillë./REL/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb