Autoritetet ruse kanë informuar familjen e një prej pjesëtarëve të ekuipazhit në luftanijen e fundosur “Moskva”, se shteti nuk do ta kompensojë për humbjen e djalit të tyre, shkruan KyivPost.

Letra që i është dërguar babait të anëtarit të ekuipazhit të kryqëzorit “Moskva”, Egor Shkrebetsit, nga Flota Detare ruse e Detit të Zi, është bërë publike sot, më 6 maj.

Aty thuhet se fundosja e luftanijës më 14 prill ishte aksidentale dhe s’kishte të bënte me aksion ushtarak. Thuhet edhe se nuk dihet vendndodhja e Shkrebetsit. Kësisoj, me vendim zyrtar të ushtrisë së Federatës Ruse, familja Shkrebets është diskualifikuar nga mundësia e kompensimit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, u kishte premtuar kompensim prej 12 milionë rublave (rreth 170 mijë euro) familjarëve të ushtarëve dhe marinsave rusë që vriten gjatë luftimeve që lidhen me Ukrainën, raportoi Kyiv Post.

Sipas deklaratave të Forcave të Armatosura të Ukrainës, dhe analistëve ushtarakë, luftanija ruse u fundos nga raketat e hedhura prej palës ukrainase.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb