MOSKË – Dmitry Peskov, zëdhënësi i Presidentit të Rusisë Vladimir Putin, tha sot se me vrasjen e ambasadorit rus në Ankara, Andrey Karlov në sulmin e armatosur është synuar pengimi i procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Moskës dhe Ankarasë dhe përpjekjeve për arritjen e zgjidhjes politike për Sirinë, raporton Anadolu Agency.

Në deklaratën për gazetarët, zëdhënësi i Kremlinit Peskov tha se “Me vrasjen e Karlovit synohet si pengimi i procesit të normalizimit mes dy shteteve, ashtu edhe pengimi i përforcimit të përpjekjeve të Rusisë dhe Turqisë për arritjen e zgjidhjes politike për Sirinë”.

Peskov tha se hetimet do të nxjerrin në pah se kush qëndron prapa sulmit. “Ekspertët rusë tani ndodhen në Ankara. Krerët e shteteve dje ranë dakord për hetim të përbashkët. Të jemi durimtarë dhe të presim që ekspertët t’i kryejnë hetimet e tyre”, vazhdoi Peskov.

“Provokim i planifikuar”
Nga ana tjetër, kryetarja e Këshillit të Federatës së Rusisë Valentina Matvienko tha se forcat e sigurisë me pjesëmarrjen edhe të ekspertëve rusë duhet të bëjnë gjithçka të mundur që t’i gjejnë përgjegjësit e sulmit dhe se kjo gjë është “çështje nderi”.

Në deklaratën për media, Matvienko u shpreh se “Vrasja e Karlovit ishte provokim i planifikuar ndaj normalizimit të marrëdhënieve ruso-turke”.
thumbs_b_c_7937ef48ec7a369ee015b03f032cdc2a
Hetuesit rusë
Ka mbëritur në Ankara një delegacion rus i përbërë nga hetues të cilët do të përfshihen bashkë me ata turq në hetimet për atentatin e mbrëmshëm në të cilin u vra ambasadori i Rusisë në Turqi, Andrey Karlov, raporton Anadolu Agency.

Delegacioni ka mbërritur sot në aeroportin Esenboga në Ankara, ndërsa në përbërje të tij janë 18 anëtarë të ekipit, në mesin e të cilëve janë një prokuror, dy atashe për siguri, zyrtarë të Ministrisë për Situata të Jashtëzakonshme, forenzikë dhe psikologë.

Ambasadori rus na Ankara u vra mbrëmë derisa po mbante një fjalim në hapjen e një ekspozite me fotografi të cilën e kishte organizuar ambasada ruse dhe komuna Cankaya.

Menjëherë pas atentatit është zhvilluar një bisedë telefonike mes presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin të cilët janë dakorduar që hetimet të zhvillohen nga ekipe të përbashkëta ruso-turke.

Edhe shefi i diplomacisë turke Mevlüt Çavuşoğlu deklaroi mbrëmë në Moskë ku po qëndron për një vizitë zyrtare, se hetimi mbi atentatin ndaj ambasadorit rus Karlov do të bëhet nga ekip i përbashkët hetuesish nga Turqia dhe Rusia.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb