Mosmarrëveshja midis qeverisë qendrore të Irakut dhe Erbilit për projektligjin e buxhetit të vitit 2021 ka çuar që provinca veriore Sulaymaniyah të “shkëputet” nga Qeveria Rajonale Kurde (KRG) e Irakut.

Mosmarrëveshja mbi pjesën e KRG-së me 12,67 për qind të buxhetit të Irakut dhe çështja e të ardhurave të naftës në parlamentin irakian vonoi miratimin e buxhetit të vendit për vitin 2021.

Qeveria qendrore e Irakut dëshiron që KRG-ja t’i dorëzojë Bagdadit 250 mijë fuçi nafte të papërpunuar në ditë.

Partitë politike shiite në parlament kanë bërë presion mbi qeverinë për të nxitur Erbilin t’i dorëzojë qeverisë qendrore të gjitha të ardhurat e saj të naftës dhe doganave, një kërkesë e cila është refuzuar nga KRG-ja.

Qeveria federale irakiane ka shkurtuar pagat e punonjësve të KRG-së pasi tha se KRG-ja nuk ka respektuar një marrëveshje të vitit 2019 sipas të cilës qeveria e Erbilit duhej t’i dorëzojë Bagdadit 250 mijë fuçi nafte të papërpunuar në ditë.

Pas rënies së regjimit të Saddam Hussein-it në vitin 2013, pjesa e KRG-së në buxhetin e Irakut ishte 17 për qind, por Bagdadi në vitin 2017 e shkurtoi atë në 12 për qind pas tensionit me rajonin si pasojë e një referendumi të diskutueshëm.

Një delegacion i kryesuar nga zv/kryeministri i KRG-së, Qubad Talabani, të hënën vizitoi Bagdadin për të rifilluar negociatat për buxhetin e vitit 2021.

Në rast se palët nuk arrijnë të pajtohen mbi buxhetin dhe të ardhurat e naftës, Sulaymaniyah dëshiron të negociojë drejtpërdrejtë me Bagdadin, në mënyrë të pavarur nga KRG-ja, për të zgjidhur problemet financiare të saj.

Në atë rast, Sulaymaniyah do të dorëzojë të ardhurat e saj të naftës drejtpërdrejtë në qeverinë qendrore dhe Bagdadi në këmbim do të paguajë pagat e nëpunësve civilë në provincë.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb