TIRANE– Pedagogët e Universitetit të Tiranës kanë dalë me një deklaratë në një kohë kur kanë kaluar afro 10 ditë nga mosmarrja e rrogave të muajit janar. Forumi për liritë akademike dhe autonominë universitare ka renditur të gjitha kërkesat e pedagogëve, ndërsa ky forum kërcënon me grevë nëse nuk do të ketë një zgjidhje dhe qeveria nuk pranon të ulet në negociata.

Deklarata e plotë

Deklaratë e Forumit për liritë akademike dhe autonominë universitare

Forumi për liritë akademike dhe autonominë universitare ka ndjekur me shqetësim zhvillimet e fundit në universitetet publike shqiptare të krijuara nga bllokimi i fondit të pagave nga ana e qeverisë shqiptare gjë që ka sjellë mosdhënien e pagave për trupën akademike dhe personelin administrativ të universiteteve publike. Një situatë e tillë ka shkaktuar revoltën dhe reagimin e drejtë të dhjetëra profesorëve dhe të personaliteteve më në zë të botës universitare shqiptare. Në shenjë të mirënjohjes për reagimin e tyre si dhe të përgjegjësisë dhe misionit që forumi i ka vënë vetes që prej krijimit të tij në vitin 2007, grupi koordinator i forumit u mblodh mbrëmë vonë dhe pas analizës së situatës së krijuar në universitet vendosi t’i drejtohej kolegëve, opinionit publik, institucioneve të zgjedhura universitare dhe insitucioneve përgjegjëse qeveritare me këtë deklaratë.

Gjendja e krijuar është pasojë e rëndësishme e ligjit të arsimit të lartë kundërshtuar prej kohësh nga trupa akademike e UT-së dhe nga forumi
Qeveria shqiptare me veprimet dhe mosverpimet e veta duhet të mbajë përgjegjësinë për bllokimin e pagave dhe për bllokimin e përgjithshëm të punës në universitetet shqiptare. Ndjesa publike e kërkuar edhe pse e vlerësuar, nuk zgjidh asnjë nga problemet reale që ka universiteti sot. Përfaqësuesit e shtetit në bordin e administrimit janë pjesë e bllokimit. Forumi mendon se qeveria po bën aleancë me kastën që është përgjegjëse për gjendjen aktuale në universitet duke e rënduar më tepër atë. Pagat e universitetit janë më të ulëtat në rajon dhe kjo është përgjegjësi e qeverisë. Fondi i pagave mbulohet vetëm pjesërisht nga qeveria (9 nga 12 muaj) dhe kjo është përgjegjësi e qeverisë. Fondet për kërkimin shkencor nga ana e qeverisë janë më të ulëtat në Evropë dhe kjo është përgjegjësi e qeverisë. Qeveria duhet të ulet më në fund me ne, trupën akademike, për të bashkëndarë përgjegjësitë dhe gjetur zgjidhjet.

Strukturat menaxhuese që burojnë prej këtij ligji: Bordi i administrimit dhe administratorët që drejtojnë prej më se dy vjetësh Univeristetin e Tiranës janë përgjegjësit kryesorë për gjendjen e krijuar dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për pagat. Ata, me arrogancën e komisarëve politikë, jo vetëm që janë shkaktarët e krizës por qëllimisht kanë tentuar të poshtërojnë trupën akademike dhe administrative duke mos u dhënë asnjë shpjegim asambleve, senatit, përgjegjësve të departamenteve, dekanëve dhe rektorit të universitetit për gjendjen e krijuar
Kjo është shenja e parë e dukshme e krizës menaxhuese të UT-së që nuk mund të shpjegohet vetëm me paaftësinë. Administratorët dhe bordi i administratrimit ka krijuar një situatë të paprecent të bllokimit të universitetit prej më se një viti. Bordi dhe adminstratorët nuk përfaqësojnë interesat e universitetit, por interesa politike dhe të grupeve okulte të kastës universitare që kanë dominuar këto 20 vjet në mënyrë abusive UT-në
Insitucionet përfaqësuese të UT-së si senati dhe autoritetet e zgjedhura në të gjitha nivelet, përfshi përgjegjësit e departamenteve, dekanët dhe rektori nuk kanë vepruar shpejt dhe me efikasistet në mbrojtje të interesave të UT-së duke lejuar një degradim të vazhdueshëm të gjendjes në UT.
Duke parë gjendjen e krijuar në universitet bordi i forumit ka vendosur organizimin e një takimi me pedagogë, studentë dhe nënpunës të administratës së universitetit për të diskutuar dhe marrë vendimet për reagimin e mëtejshëm për çështjet e mëposhtme:

Moskalimin e pagave
Për të përcaktuar hapat dhe modalitetet për shkarkimin e bordit të administrimit dhe administraitorit të UT-së.
Për të përcaktuar hapat dhe grupin negociator me kryeminstrin dhe ministren e arsimit për gjetjen e modaliteteve për zhbllokimin e universitetit dhe kthimin e tij në normalitet funksional dhe demokratik. Qeveria duhet të marrë përsipër pagesën e plotë të grantit qeveritar për pagat i cili aktualisht mbulon vetëm 9 muaj nga 12 muaj të pagave të UT-së dhe duhet të nisë procedurat fiunanciare për ekuivalentimin e pagave në universitet me atë të kolegëve të vendeve të rajonit (së paku nivelin e pagave në Republikën e Kosovës)
Hapjen e një debati brenda universitetit me organet e zgjedhura për realizimin e standarteve të akredimit, të cilësisë së mësimdhënies, punës shkencore dhe rikonceptimit të rolit të UT-së në fushën e dijës dhe në shoqëri
Grupi koordinator i forumit ka bindjen e plotë se gjendja e nënshtrimit të trupës akademike çon në dekompozimin e UT-së dhe se një lëvizje për përballimin e kësaj situate, ku nuk përjashtohet edhe thirrja e një greve të përgjithshme në rast të refuzimit të negociatave apo të dështimit të tyre, është sa emancipuese, aq edhe e domosdoshme.

Kordinadori i Forumit për liritë akademike dhe autonominë universitare

Prof. Assoc. Dr. Mark Marku

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: