Profesori i Universitetit të Kembrixhit, Sir David Spiegelhalter këmbëngul se mosvaksinimi i njerëzve do të kushtojë jetë, shkruan Nick Triggle për BBC.

Një numër vendesh kanë vendosur të pezullojnë përdorimin e vaksinës Oxford-AstraZeneca si një masë paraprake pas raporteve që disa njerëz kanë pësuar mpiksje gjaku pasi iu është dhënë doza e parë.

Vendimi është marrë në bazë të parimit parandalues ​​- një qasje e mirëvendosur në shkencë dhe mjekësi – që thekson nevojën për të ndaluar dhe rishikuar kur provat janë të pasigurta.

Të dhënat e siguruara nga AstraZeneca tregojnë se ka pasur 37 raporte të mpiksjes së gjakut në mesin e 17 milionë personave në të gjithë Europën, të cilëve u është bërë vaksina.

Kjo është arsyeja pse Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe rregullatorët e barnave në BM kanë thënë të gjithë se nuk ka prova të një lidhjeje.

Edhe Agjencia EUropiane e Barnave, e cila po shqyrton raportet, ka sugjeruar që vaksina duhet të vazhdojë të përdoret, ndërkohë duke pasur parasysh rrezikun që paraqet Covid-19 për shëndetin.

Profesori Adam Finn, një anëtar i grupit punues të OBSH-së për vaksinat Covid, thotë se ndalimi i përdorimit në këtë mënyrë është “shumë i padëshirueshëm” dhe mund të minojë besimin te vaksina.

“Marrja e vendimit të duhur në një situatë si kjo nuk është aspak e lehtë, por mbajtja e situatës nën kontroll është ndoshta gjëja më e domosdoshme”, thekson Finn.

Ndërkohë, profesori i Universitetit të Kembrixhit, Sir David Spiegelhalter thotë se kjo tregon se ndonjëherë ju duhet të shikoni përtej parimit të parandalimit dhe të jeni të guximshëm në vendimmarrjen tuaj.

“Parimi i parandalimit favorizon mosveprimin si një mënyrë për të zvogëluar rrezikun. Por problemi është se këto nuk janë kohë normale dhe mosveprimi mund të jetë më i rrezikshëm se veprimi”, thekson ai.

Ajo që nevojitet në rrethana si këto, sipas tij, është të përpunojmë atë që ka shumë të ngjarë në ekuilibrin e probabilitetit.

Kjo kërkon të shikosh provat direkte dhe indirekte dhe kontekstin në të cilin po merren vendimet.

“Ndonjëherë mund të jetë e dëmshme të presësh për siguri. Mosvaksinimi do të kushtojë jetë njerëzish”, këmbëngul Spiegelhalter.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb