Autoritetet iu bëjnë thirrje qytetarëve të evitojnë dhe minimizojnë lëvizjet për shkak të motit të keq dhe rrezikut me të cilin mund të përballen. Në një lidhje telefonike për “News24”, kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar Dashamir Gjika bëri një rezyme të situatës së rrugëve nacionale në vend, ndërsa tha se mbi 94 kompani të kontraktuara po punojnë që akset kryesore të jenë të kalueshme.

“Rruga e Kombit e kalueshme me zinxhirë. Borëpastrueset janë duke punuar. Drejtuesit e mjeteve të evitojnë lëvizjet dhe në rastet kur duhet të udhëtojnë të përdorin zinxhirët. Qytetarët të informohen për gjendjen e akseve. Kemi kontaktuar mbi 94 kompani që operojnë sipas rasteve të caktuara dhe mbulojnë kontratat e mirëmbajtjes”, deklaroi Gjika, raporton “BalkanWeb”.

Po kështu edhe kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi tha se mbi 70% e territorit është mbërthyer nga bora dhe akulli. Ai deklaroi se deri në datën 10 janar situata do të shkojë drejt përkeqësimit.

prenci flet per news

“Bora ka prekur dhe zonat bregdetare si Durrësi, apo edhe në Fier. Në lartësitë mbi 200 metra mbi nivelin e detit, trashësitë e dëborës janë nga 20 cm deri në 120 cm. Fenomeni më problematik ka qenë kthimi i dëborës në akull pas mesnatës çka ka vështirësuar lëvizjen e mjeteve. Edhe në rrugën e Kombit. Në tunelin e Kalimashit varion nga 25-30 cm. Aktualisht Rruga e Kombit është e kalueshme. Ka pasur prezencë akulli, por kompanitë kanë punuar për të sjellë levizshmërinë. Akset më problematike në bashkinë e Pukës. Apeli, qytetarët të minimizojnë lëvizjen. Me emergjencat civile mbrëmë kemi siguruar kalueshmërinë e ambulancave nga Kukësi në Tiranë. Kemi njoftuar shtabet e emergjencave. Deri në datën 10 janar situata drejt përkeqësimit”, tha Prençi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb