DURRES– Durrsakët janë zgjuar në kaos mëngjesin e sotëm. Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që ranë në këtë qytet gjatë natës pa ndërprerje, paraditen e sotme rrugët janë nën pushtetin e unit.
permbytje-ne-durres
Policia ka devijuar qarkullimin rrugor në akset më problematike të qytetit.
permbytje-ne-durres-2
Te stacioni i trenit ku niveli i ujit ka kaluar mbi 40 cm, nuk bëhet më rreth-rrotullimi, por kalohet vetëm në një sens rrugor vajtje-ardhje.

Policia e qarkullimit rrugor, pavarësisht shiut të dendur e rrugëve të përmbytura, ka dalë në rrugë për të disiplinuar trafikun e automjeteve që kanë mbetur të bllokuara.

Shefi i Qarkullimit Rrugor të Durrësit, në një komunikim ne lidhje telefonike për “News24” iu bëri apel strukturave të emergjencave civile që të vihen në krye të situatës.
permbytje-ne-durres-3
“Nuk ka asnjë punonjës të emergjencave civile, s’kanë dalë asnjë përfaqësues e punonjës i tyre aty ku i thërret detyra. Është turp i madh që e presin menaxhimin e situatës vetëm nga punonjësit e policisë.

Është barrë e madhe për ndihmën që duhet t’u japim njerëzve në rrugë, dhe po ashtu edhe makinave”, ishte apeli i ngritur.

“News24” ka qenë në disa akse rrugore të Durrësit: te stacioni i trenit ku ishte devijuar kalimi dhe niveli i ujit ishte minimalisht 40 cm nën ujë. Situata paraqitet kaotike dhe trafiku tejet i rënduar: deri te kryqëzimi i semaforit te Rrota e Qerres, rruga është e pakalueshme në sensin Durrës-Tiranë.

Ndërsa nga Ura e Dajlanit e në hyrje të Durrësit trafiku i automjeteve është shumë i ngarkuar.

Situata paraqitet problematike në zonat kyçe të Durrësit, që përmbyten sa herë bie shi me intensitet të lartë: shëtitorja “Taulantia”, rruga “Aleksandër Goga”, zona te stadiumi, te stacioni i trenit, lagja nr.13, Shkozeti, etj.

Në Currila ka rrëshqitje dherash ndërsa rruga e pakalueshme.


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb