NGA FATMIR POPJA

ELBASAN- Gjatë natës së fundit si pasojë e reshjeve u krijuan probleme për disa orë për qarkullimin normal në aksin e rrugës kombëtare Elbasan-Librazhd, pasi në vendin e quajtur “Kthesat e Murrashit” pati rrëshqitje dherash dhe rënie masive gurësh nga shpati i kodrës që ngrihet mbi trasenë e kësaj rruge.

Nga ora 02:00-06:00 të mëngjesit në këtë segment rrugor është punuar për largimin e masive me dhera e gurë duke rikthyer normalitet të plotë në qarkullimin e automjeteve, por gjithsesi “Kthesat e Murrashit” mbeten një nga segmentet e rrezikshme për ata që janë përdorues të tij, sepse kanë filluar të shkrijnë sipërfaqet e mbuluara me akull të cilat favorizojnë rrëshqitjet dhe rënien e gurëve nga lartësitë mbi rrugën kombëtare.

Ndërkaq për shkak të rritjes së nivelit të Basenit të HEC-Banjës në Gramsh nga mëngjesi i sotëm njëra nga portat e shkarkimit e ka rritur në 350 m3 /s sasinë, më e madhja kjo që nga koha e vënies në funksion të këtij gjiganti të prodhimit të energjisë në Rajonin e Shqipërisë Juglindore.

Hapja e portave shkarkuese të HC-Banjë sipas burimeve zyrtare nga EC në Prefekturën e Elbasanit i paraprin marrjes në kohë të masave për të evituar përmbytjet masive në zonën e Sulovës përgjatë rrjedhës së Lumit Devoll, pasi dëbora në të gjitha zonat malore po shkrin me shpejtësi duke rritur së tepërmi nivelin e prurjeve në HEC-Banjë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb