Policia ka nisur me ndëshkimet e drejtuesve që nuk respektojnë masat për motin e keq në akset rrugore. 87 drejtues janë gjobitur pasi nuk kishin vendosur për automjetet e tyre zinxhirët, ndërsa 49 të tjerë nuk kishin goma dimërore.

Nga ana tjetër 156 drejtues u ndëshkuar për parakalime të gabuara, 121 për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe 89 për përdorim celulari.

Po ashtu Policia njofton se në rrugën interurbane Tiranë- Elbasan u parandalua një ngjarje rrugore pasi një automjet po lëvizte në sens të kundërt.

NJOFTIMI NGA POLICIA
Policia e Shtetit

Shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë angazhuar maksimalisht, në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme dhe Shqiponjat, për të monitoruar qarkullimin e automjeteve në të gjitha akset rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Pas thirrjes që Policia e Shtetit bëri për të gjithë përdoruesit e rrugës, për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, prej mëngjesit të sotëm e deri në këto momente janë ndëshkuar në të gjithë vendin, 87 drejtues mjetesh që nuk kishin vendosur zinxhirë për të qarkulluar, të cilët për pasojë kanë sjellë vonesa në qarkullimin normal të mjeteve të tjera.

Njëkohësisht, në të gjithë vendin janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative edhe 49 drejtues mjetesh që nuk kishin vendosur gomat dimërore.

Po gjatë monitorimit të qarkullimit janë evidentuar dhe ndëshkuar 156 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara, 121 për mosvendosje të rripit të sigurimit, 89 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, si dhe 56 drejtues motomjetesh për mosvendosje të kaskës mbrojtëse.

Ndërsa nga Policia Rrugore e Tiranës, si rezultat i mbajtjes nën kontroll të rrugëve urbane e interurbane, u bë i mundur parandalimi i një ngjarjeje rrugore, pasi një drejtues mjeti udhëtonte në sens të kundërt në rrugën interurbane Tiranë – Elbasan (drejtimi i lëvizjes është Tiranë Elbasan, ndërsa drejtuesi i mjetit lëvizte po në këtë kah të lëvizjes, por në sens të kundërt, nga tuneli i Krrabës për në TEG).

Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe udhëzimet e Policisë dhe të autoriteteve të tjera.

Për çdo problem apo informacion mund të telefononi në numrin pa pagesë 112 ose shkruani në Komisariatin Dixhital dhe reagimi do të jetë i menjëhershëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb