TIRANË- Policia e Shtetit ka njoftuar pasditen e sotme për bllokimin e disa pikave dhe akseve rrugore si pasojë e motit të keq, ndërsa ka pohuar se ndodhet në gatishmëri për përballimin e situatës.
Nga të dhënat e policisë mësohet se në Qafë-Mollë, në Dajt është bllokuar rruga dhe kanë mbetur të bllokuara rreth 30 automjete, ndërsa në automjete ka gra dhe fëmijë.
Po kështu aksi rrugor Përrenjas-Qafë Thanë-Pogradec është i bllokuar nga bora. Vështirësi qarkullimi ka edhe në rrugën e Kombit, ku qarkullimi vijon me zinxhirë dhe aktualisht ka reshje te dendura të dëborës.
NJOFTIMI I POLICISË
Në vijim të komunikimeve për situatën e rrugëve si pasojë e motit të keq ju informojmë se:
Është bllokuar nga dëbora rruga e Dajtit në vendin e quajtur “Qafë Mollë”, ku kanë mbetur të bllokuara rreth 30 automjete.
Për t’ju ardhur në ndihmë , në drejtim të tyre aktualisht janë nisur shërbimet e Policisë së Komisariatit të Policisë Nr 4, dhe një grup i FNSH-së, pasi ka edhe fëmijë të vegjël në automjete.
Patrulla e Policisë Rrugore me një automjet Fuoristradë të policisë po bën evakuimin e fëmijëve dhe të grave të bllokuara nga bora dhe aktualisht po shkon dhe fadroma për hapjen e rrugës.
Po si pasojë e motit të keq aksi rrugor Përrenjas-Qafë Thanë-Pogradec është i bllokuar nga bora.
Në këtë aks ka automjete të bllokuara , ku në ndihmë të tyre kanë shkuar forcat e policisë rrugore dhe të rendit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan dhe Korçë për t’i ndihmuar.
Në drejtim të Qaf Thanës janë nisur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato Speciale për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve të bllokuar dhe për të bërë të mundur zhbllokimin e këtij aksi.
Njëkohësisht aksi rrugor Tepelenë –Gjirokastër në vendin e quajtur Uji i Ftohët ka rrëshqitje dheu dhe është vështirësuar qarkullimi i automjeteve.
Dy patrulla të Qarkullimit Rrugor dhe dhe dy patrulla të Përgjithshme ndodhen në vendin ku ka rrëshqitje dheu, për t’ju ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve .
Gjithashtu në aksin rrugor Levan-Fier, në një segment rreth 100 metra ka dalje të ujit në asfalt ku është vështirësuar lëvizja e automjeteve. Patrulla të Qarkullimit Rrugor janë në këtë segment duke orientuar dhe ndihmuar drejtuesit e automjeteve.
Vështirësi qarkullimi ka edhe në rrugën e Kombit, ku qarkullimi vijon me zinxhirë dhe aktualisht ka reshje te dendura të dëborës.
Në qarkun Dibër qarkullimi vijon me zinxhirë, ndërsa në zonën e Gollobordës rruga është e bllokuar.
Bllokime rrugesh nga bora ka edhe ne akset rurale e në zonat e thella malore.
Patrullat e Qarkullimit Rrugor po asistojnë në të gjitha veprimet që po kryhen, duke bashkërenduar dhe bashkëvepruar me Drejtoritë e Rrugëve dhe Emergjencat Civile.
Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri të plotë dhe në të gjitha akset rrugore ka shtuar Patrullat e Policisë Rrugore dhe të Patrullave të Përgjithshme.
Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjithë atyre drejtuesve të automjeteve që kanë planifikuar të lëvizin në aksin rrugor Elbasan- Korçë , të mos qarkullojnë pasi rruga është e bllokuar nga dëbora dhe qarkullimi nuk do lejohet as me zinxhirë deri në zhbllokimin e plotë të këtij aksi.
Njëkohësisht të gjithë drejtuesit e automjeteve që do qarkullojnë në akset rrugore të lartpërmendura duhet të jenë të pajisur detyrimisht me zinxhirë.
Policia Rrugore kërkon mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve për të zbatuar kërkesat ligjore, të bashkëpunojnë me patrullat e saj në territor për të bërë të mundur evitimin e bllokimeve dhe normalizimin e situatës me qëllim shmangien e ngjarjeve aksidentale.
(m.k/BalkanWeb)