TIRANE – Moti i keq, me temperatura të ulëta e reshje të dendura dëbore ka shkaktuar probleme kryesisht në zonat malore të vendit. Korrespondentët tanë informojnë se përveç vështirësive në qarkullimin e automjeteve, banorët po vuajnë edhe mungesën e energjisë elektrike.
Në qarkun e Dibrës shumë zona vijojnë të jenë të bllokuara prej disa ditësh, për shkak të reshjeve të dëborës, ndërsa aksi rrugor Qafë Bualli-Peshkopi kalohet me vështirësi me zinxhirë. Komuna Trebisht, Ostren, Lura dhe Kalaja e Dodës janë pothuajse të izoluara, pasi rrugët janë bërë të pakalueshme.
Ndërkohë në disa lagje të Pukës dhe në shumë fshatra mungon energjia elektrike. Akset rrugore Qafë Qelë-Pukë-Qafë Mali dhe Qafë Mali- Bajram Curri mund të kalohen vetëm me zinxhirë.
Probleme me energjinë ka edhe në shumicën e fshatrave të Librazhdit, për shkak të dëmtimit të linjave të transmetimit. Aksi Librazhd-Stërblevë është i pakalueshëm, ndërsa komunat Zavalinë, Labinot Mal janë të bllokuara.
Ndërkohë, disa fshatra në Korçë vuajnë prej ditësh mungesën e energjisë elektrike për shkak të dëmtimit të linjave të transmetimit. Pa energji janë fshatrat Pojan, Zvezde, Shëngjergj, Pendavinj dhe Rrëmbec. Edhe në Gramsh, dëbora ka bllokuar komunat Sult, Kushovë dhe Kukur.

ARRSH: JA GJENDJA E KALUESHMËRISË SË RRUGËVE

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor janë duke ndjekur me kujdes të veçantë situatën e akseve rrugore pas reshjeve të dëborës që kanë rënë gjatë ditëve te fundit. Autoriteti Rrugor Shqiptar kërkon mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve, për të zbatuar rregullat e qarkullimit. Sipas ARRSH-së, në disa zona të vendit vazhdon të ketë vështirësi në qarkullim për shkak të motit të keq dhe temperaturave të ulëta.

Deri në orën 17:30 situata e kalueshmërisë së akseve rrugore paraqitet si më poshtë:

Qarku Tiranë: Në akset Trau Dajt-Qafë Mollë-Bizë, Trau Dajt-Antena, Qafë Priskë- Shëngjergj ka ngrica në rruge dhe behet spërkatja me kripë. Qarkullimi rekomandohet të kryhet me zinxhirë.

Qarku Durrës: Nuk ka probleme në akset e këtij qarku. Të bëhet kujdes në qarkullim, pasi ka trafik në disa akse.

Qarku Elbasan: Aksi Librazhd-Steblevë është i hapur. Aksi Elbasan-Gjinar ka prani ngricash në rrugë. Rekomandohen zinxhirët për shkak të ngricave në aksin Elbasan-Gjinar, dhe të evitohen parakalimet në vendin ku rruga ngushtohet.

Qarku Berat: Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve. Të bëhet kujdes për shkak të fluksit të dendur të makinave.

Qarku Vlorë: Në Qafën e Llogorasë 20-30 cm borë. Po vazhdon pastrimi i rrugës dhe  hedhja e kripës. Qarkullimi duhet të kryhet me zinxhirë.

Qarku Gjirokastër: Ngrica vetëm në aksin Erind-Çajup. Ky aks po trajtohet me kripë. Rekomandohet kalimi me zinxhirë.

Qarku Korçë: Në aksin Pogradec-Qafë Thanë kalimi bëhet pa zinxhirë. Aksi Qafë Thanë-Lin është i pastruar, në asfalt kalimi bëhet pa zinxhirë. Kalimi është i detyrueshëm me zinxhirë në aksin e Dardhës.

Qarku Kukës: Në km 26 deri tek Tunel Thirrë në zonën e Komunës Fan pjesë e rrugës Rrëshen-Tunel-Thirrë ka rënie gurësh nga të dyja anët e rrugës si pasojë e shkrirjes së dëborës. Po bëhet pastrimi i tyre. Drejtuesit e automjeteve duhet të kenë kujdes të lëvizin me shpejtësi të ulët.

Kalimi në Rrugën e Kombit, Tuneli- Kalimash-Kukës-Morinë pa zinxhirë. Qarkullimi rekomandohet të bëhet me zinxhirë në disa segmente: 1. Kukës-Krumë; 2. Kukës-Draj, Rec; 3. Domaj-Bushtricë; 4. Kukës-Qafë Shllakë; 5. Kukës-Shishtavec (ura Zapod) të Tropojës dhe Kukësit, për shkak të temperaturave shumë të ulëta.

Qarku Dibër: Vazhdon hedhja e kripës për shkak të temperaturave shumë të ulëta gjatë natës. Qarkullimi rekomandohet të kryhet me zinxhirë në akset Ura e Cerenecit-Steblevë, Qafë Bualli-Krastë, Muhurr-Qafë Draj dhe në segmentin Sllovë-Kalaja e Dodës.

Qarku Shkodër: Ka temperatura të ulëta. Në akset e Pukës dhe Malësisë së Madhe ka ngrica që po trajtohen me kripë. Aksi Qafë Mali-Flet, vazhdon të bllokohet herë pas here si pasojë e erës së fortë që e kthen borën në rrugë. Borëpastruesja dhe fadroma janë të instaluara në vend dhe bëjnë herë pas here hapjen e rrugës. Qarkullimi në akset e Malësise së Madhe dhe në aksin Qafë-Mali-Flet rekomandohet të bëhet me zinxhirë.

Qarku Fier: Nuk ka probleme për qarkullimin. Të bëhet kujdes në lëvizje, për shkak të fluksit të madh të makinave në superstradën Fier-Lushnje.

Qarku Lezhë: Pothuaj gjithë akset qarkullohen pa zinxhirë. Rruga e Kombit është e hapur, Tuneli Kalimash-Kukës-Morinë pa zinxhirë. Rekomandohet kalimi me zinxhirë edhe për akset Rrëshen-Qafë Bëne dhe Shpal-Ura e Repsit.

 

(m.k/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: