TIRANË- Moti i keq me reshje të dendura bore dhe shiu ka shkaktuar bllokimin e disa rrugëve kombëtare dhe rurale dhe ka nxjerrë në pah disa problematika edhe në qytetet kryesore të vendit. Sipa Autoritetit Rrugor Shqiptar, situata deri nën orën 15:30 në qarqe, paraqitet si më poshtë:

SITUATA DERI NE OREN 15:30 SIPAS QARQEVE

TIRANE –Në akset Trau Dajt – Qafë Mollë – Bizë, Trau Dajt – Antena, Qafë Priskë – Shëngjergj ka dëborë dhe ngrica në rrugë dhe po bëhet spërkatja me kripë. Qarkullimi duhet të kryhet me zinxhirë.

DURRES – Nuk ka probleme në akset e ketij qarku, por ka trafik të shtuar. Duhet të bëhet kujdes në qarkullim.

ELBASAN –Në akset Librazhd – Steblevë, Elbasan – Gjinar ka prani dëbore në rrugë. Në aksin Elbasan – Peqin – Rrogozhinë ka gurë në rrugë. Rekomandohen zinxhirët dhe të evitohen parakalimet në vendet ku rruga ngushtohet.

BERAT –Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve, por trafik të dendur.

VLORE –Në aksin Vlorë-Palasë ka prani të dëborës në rrugë. Rekomandohet ecja e kujdesshme, dhe përdorimi i zinxhireve për shkak të ngricave në rrugë.

GJIROKASTER – Nuk ka probleme per qarkullimin por duhet të bëhet kujdes sidomos në Qafë Muzinë, sepse natën ka ngrica.

KORÇE –Në të gjitha akset ka dëborë e ngrica. Qarkullimi duhet të kryhet me zinxhirë.

KUKES –Ka prani të dëborës dhe ngricave. Problematike është era që e hedh dëboren në rrugë. Qarkullimi duhet bërë me zinxhirë.

DIBER – Në akset e Dibres ka dëborë dhe akull në rrugë Qarkullimi duhet të kryhet me zinxhirë.

SHKODER – Vetëm në akset e Razmës dhe Bogës ka probleme me praninë e dëborës dhe ngricave. Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve.

FIER – Nuk ka probleme për qarkullimin por duhet të bëhet kujdes në lëvizje, për shkak të fluksit të madh të mjeteve ne superstradën Fier – Lushnje

LEZHE –Prani dëbore ka vetëm në aksin Rrëshen-Hyrja e Tunelit Thirrë. Gjatë orëve të natës ka ulje të temperaturave dhe formim te ngricave. Duhet të qarkullohet me zinxhire në Rrugën e Kombit.

INFORMACIONI NE OREN 14:30
Në Qafë-Plloç, një kamion ka rrëshqitur dhe ka bllokuar qarkullimin. Në qarkun e Korçës disa akse janë të pakalueshme dhe disa të tjera kalohen vetëm me zinxhirë. Kështu mësohet se akset Korçë-Kapshticë, Korçë-Ersekë kalohen me zinxhirë.

Aksi rrugor Korçë-Pogradec kalohet vetëm me zinxhirë. Aksi Pogradec-Qafë-Thanë, shumë e vështirë për t’u kaluar, pasi dëbora varion nga 5 deri në 15 centimetra.

Ndërkohë në Librazhd, për shkak të motit të keq shumica e fshatrave janë pa energji elektrike, pasi janë shembur 20 shtylla të rrjetit të mesëm. Situatë problematike është edhe në aksin Librazhd-Qafë-Thanë. Aksi Pishkash-Prrenjas është i mbuluar nga ngricat. Aksi Librazhd-Steblevë është i bllokuar nga mbrëmja e djeshme. Në Qafë-Thanë vazhdon dëbora, qarkullohet me zinxhirë.

Nga ana tjetër Autoriteti Rrugor Shqiptar deklaron se akset rrugore në Korçë, të kalueshme pjesërisht.

Akset rrugore në Korçë janë të kalueshme me zinxhirë. Në Llogora ka rreth 5 cm dëborë por situata nuk është problematike. Akset Berat, Vlorë dhe Gjirokastër nuk paraqesin probleme. Firmat po marrin masa për pastrime. Rruga e Kombit është e kalueshme në disa segmente”, thuhet në njoftimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Në Fier, për shkak të shirave intensive, lumi Gjanica ka dalë nga shtrati. Janë përmbytur zyrat e Ujësjellës-Kanalizime Fier, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Punonjësit po nxjerrin ujin nga zyrat. Janë përmbytur edhe magazina, disa lokale, ndërkohë në shumë banesa ka prezencë uji.

Rrethi i Kukësit dhe ai i Hasi kanë pasur ndërprerje të energjisë elektrike. Shkak për ndërprerjen e energjisë është bërë një defekt në rrjetin 110 kW.
Grupet e riparimit po punojnë për të rregulluar defektin. Që prej ditës së djeshme nuk ka pasur më reshje dëbore por rrethi i Kukësit është përfshirë nga ngricat

Ndërkohë në Dibër bllokohet lëvizja në komunat Lurë dhe Kalaja e Dodës. Disa fshatra në qarkun e Dibrës janë izoluar nga dëbora. E bllokuar dhe komuna Trebisht në Bulqizë. Rruga Qafë Bualli-Peshkopi kalohet me vështirësi.

ARRSH-ja i bën thirrje drejtuesve të përdorin zinxhirët në zona me reshje dëbore. Firmat po marrin masa për pastrime në akset e tyre përkatëse.

Ora 14:27– Situata e rënduar e shkaktuar nga reshjet e dendura të dëborës, kanë bërë që Shtabi i Emergjencave në Prefekturën e Kukësit të mblidhet për të parë mundësinë e ndërhyrjes në zonat e thella malore, aty ku rrugët janë të bllokuara nga dëbora dhe banorët janë të izoluar.

Sipas të dhënave, deri tani janë të izoluara në rrethin e Kukësit, komunat Zapod, Kalis, Grykë-Çajë e Arrën, në rrethin e Tropojës Lekbibaj dhe Llugaj. Ndërkohë që janë të izoluara disa fshatra të komunave Shishtavec, Topojan, Bushtricë, Ujmisht, Malzi, Surroj, Gjinaj, Fajza Margegaj, Tropojë e Vjetër, Bujan etj. Prefekti Gjici  ka paralajmëruar drejtuesit e Njësive Vendore që të pastrojnë rrugët, pasi në të kundërt do të penalizohen.

Ora 14:00- Operatori i Sistemit të Transmetimit ka njoftuar se është rikthyer energjia elektrike në të gjithë rrethin e Kukësit. Rikthimi i energjisë ka ardhur pas riparimit të defektit në linjën 110 kW. Sipas OST-së, energjia në rrethin e Kukësit është rikthyer në orën 14:00. Ndërkohë që prej mesnatës Kukësi dhe Hasi ishin pa energji elektrike.

Koha e keqe, OSHEE: Jashtë pune disa nënstacione e linja furnizimi

Ora 11:40- Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike njoftoi sot se për shkak të kohës së keqe, kanë dalë jashtë pune disa nënstacione e linja furnizimi.

Kështu janë pa energji komunat Zall-Dardhë, Reç, Lurë, Sllovë, Kala e Dodës, Pishaj, Sulte, Gjegjan, Krahës, Qesarat.

Mësohet se ka pësuar defekt linja 35 kW Korçë-Gjanç, çka ka sjellë edhe ndërprerjen e energjisë për komunat Voskop, Leksa, Vithkuq.

Ndërkohë që nga raportimet mësohet se edhe Kukësi dhe Hasi janë pa energji elektrike. Gjithashtu edhe disa komuna të Librazhdit, për shkak të dëmtimit të disa shtyllave të rrjetit të mesëm.

MPB: Ja akset e kalueshme me zinxhirë

Ora 11:32- Në vijim të komunikimeve për situatën e rrugëve si pasojë e motit të keq Ministria e Punëve të Brendshme ka informuar se akset kombëtare në veri dhe verilindje janë të kalueshme vetëm me zinxhir.

Kështu aksi rrugor Qafë Morinë-Kukës-Milot është i kalueshëm vetëm me zinxhirë. Aksi rrugor Librazhd-Qafë-Thanë-Korçë-Kapshticë, është i kalueshëm vetëm me zinxhirë dhe i vështirë në  segmentin Përrenjas- Qafë Thanë. Aksi rrugor Korçë-Ersekë është i kalueshëm vetëm me zinxhirë.

Aksi rrugor Shkodër-Pukë-Fushë-Arrëz, është i kalueshëm vetëm me zinxhirë. Aksi rrugor Fushë Arrëz-Fierzë dhe Fushë Arrëz-Kukës, është i kalueshëm vetëm me zinxhirë, ka bllokime të shpeshta të rrugës për shkak të shembjes së borës nga era e fortë.

Aksi rrugor Dibër-Bulqizë-Burrel është i kalueshëm vetëm me zinxhirë.

Ndërsa akset rrugore Fier-Gjirokastër-Kakavijë-Sarandë-Vlorë janë të kalueshëm pa zinxhirë, s’ka probleme.

Në të gjithë vendin shërbimet e Policisë Rrugore janë prezentë në akset rrugore kryesore për të monitoruar trafikun e mjeteve dhe për të parandaluar aksidentet rrugore.

Në akset rrugore ku kalohet me zinxhirë, Policia Rrugore është mbështetur nga strukturat e Policisë së Rendit dhe FLO për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

Policia Rrugore kërkon mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve për të zbatuar kërkesat ligjore, të bashkëpunojnë me patrullat e saj në territor për të bërë të mundur evitimin e bllokimeve dhe normalizimin e situatës me qëllim shmangien e ngjarjeve aksidentale.

AUTORITETI RRUGOR SHQIPTAR

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton mbi gjendjen e akseve rrugore në vend, pas reshjeve të dëborës gjatë ditëve të fundit.

Sipas ARRSH-së mësohet se, në rajonin verior, konkretisht në Shkodër: Në akset e këtij rajoni ka trashësi të borës nga 20–40 cm. Në akset e Pukës, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hedhur kripë, ndërsa qarkullimi kryhet me zinxhirë.

Në rajonin qendror Tiranë: Gjendja vazhdon të jetë me probleme në aksin Elbasan–Qafë Thanë, ku po vazhdon puna për hapjen e rrugës dhe kriposjen e aksit. Në aksin Komunë Dajt–Antena, Komunë Dajt–Bizë dhe Qafë Priskë–Shkallë–Shën Gjergj, trashësia në rrugë ka arritur mbi 30 cm.

Vazhdon puna për hapjen e rrugëve dhe kriposjen e akseve. Qarkullimi në këto akse bëhet me zinxhirë. Probleme për qarkullimin ka edhe në Steblevë, ku trashësia e borës është mbi 30 cm. Fadroma është duke punuar për pastrimin e aksit. Qarkullimi për momentin është i bllokuar.

Në rajonin jugor Gjirokastër: Në aksin Vlorë- Palasë, në Qafën e Llogorasë ka rënë 5 cm borë. Kalimi kryhet pa probleme. Vazhdon puna për kriposjen e aksit. Borëpastruesja po punon për pastrimin e aksit.

Qarku Korçë: Të gjitha akset e këtij qarku janë të kalueshme me zinxhirë. Në Dardhë, Qafë Qarri, Qafë Thanë, trashësia  e dëborës deri në 30 cm. Po punohet për pastrimin dhe kriposjen e akseve nga kontraktorët. Në aksin Korçë-Kapshticë, Korçë-Petrushë, trashësia është deri në 15 cm. Firmat po punojnë për pastrimin e dëborës. Vazhdon puna edhe për kriposjen e akseve.

Qarku Fier, Berat, Gjirokastër pa probleme në qarkullim.

ARRSH njofton se është shumë e rëndësishme që drejtuesit e automjeteve të lëvizin me zinxhirë bore në akset e caktuara. Drejtuesit e automjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimin për sigurinë e tyre dhe bashkëqytetarëve të tjerë, si dhe të jenë të vetëdijshëm se në akset problematike, fluksi i lartë i automjeteve ka sjellë dhe mund të sjellë edhe në vijim problematika të shumta, radhë, orë të gjata pritje, moslejimin e hyrjes së borëpastrueseve për të zhbllokuar akset e bllokuara.

Ora 11:00- Në një deklaratë për mediat, Shtabi i Emergjencave Civile në Prefekturën e qarkut të Elbasanit ka bërë të ditur edhe akset më problematike të verifikuara nga specialistët në vendet ku ka pasur edhe probleme.

Në deklaratë thuhet se probleme si pasojë e reshjeve të dëborës dhe shirave ka pasur në aksin kombëtar Rrogozhinë–Qafë Thanë, konkretisht në segmentin Papër–Paulesh si pasojë e rrëshkitjes së dheut, në segmentin Ura e Murrashit–Librazhd, ku ka pasur rënje materialesh të ngurta, segmenti Librazhd–Qukës (Dragostunj), si pasojë e reshjeve të dëborës, segmenti Prrenjas–Qafë Thanë, me reshje dëbore, ku për disa orë një natë më parë në këtë aks qarkullimi ishte i bllokuar, si rezultat i lëvizjes së mjeteve pa zinxhir.

Mësohet se me ndërhyrjen e firmës që mirëmban segmentin, gjendja u normalizua në orët e vona të natës.

Sipas informacioneve të marra mëngjesin e sotëm në këtë aks qarkullimi është normal. Mësohet se vazhdon të jetë i bllokuar qarkullimi si pasojë e trashësisë së doborës që arrin 50 centimetra aksi nacional Librazhd–Steblevë. Në rrethin e Librazhdit si pasojë e reshjeve të dëborës ka difekte në sistemin e shpërdarjes së energjisë elektrike, ku janë pa energji komunat Orenjë, Lunik, Steblevë, Stravaj, Qukës dhe qyteti i Librazhdit. OSSHE po punon për riparimin e difekteve për furnizimin me energji.
Ndërsa, në komunën Qendër Librazhd është bllokuar aksi rural Togëz – Qarrishtë. Në komunën Rrajcë janë bllokuar akset rurale Rrajcë – Skënderbej dhe Rrajcë–Bardhaj.
Në rrethin e Gramshit ka probleme në aksin rural Gramsh–Porocan dhe Kthesa Kukrit – Kukër. Rrethi i Elbasanit, problem ka komunen Shushicë në fshatin Hajdaran. Si rezultat i reshjeve të shiut ka rritje të nivelit të ujit në disa shtëpi, por pa probleme serioze.

Komuna Labinot Mal ka bllokim të aksit rural Xibrrakë–Labinot Mal dhe nga kthesa Labinot Fushë–Labinot Mal ka bllokim nga reshjet e dëborës dhe difekte në furnizimin me energji elektrike të popullatës. Komuna po merr masa për normalizimin e qarkullimit. Që në orët e mëngjesit në qytetin e Librazhdit dhe fshatrat e tij ka shkuar për një inspektim vetë prefekti Arben Kamami i cili po ndjek edhe nga afër punëtorët e mirëmbajtjes të cilët po punojnë për zhbllokimin e akseve të bllokuara.

(ar.sh/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb