TIRANE

Në një kohë që vendi është mbërthyer nga moti i keq, Policia Rrugore ka paralajmëruar pezullimin e lëvizjes së kamionëve në aksin rrugor Lezhë-Mabe. Përmes një njoftimi zyrtar, Rrugorja shkruan se në këtë aks rrugor intensiteti i shpejtësisë së erës është shumë i fuqishëm ndaj edhe do pezullohet qarkullimi i kamioneve.

 Njoftimi i policisë

Policia Rrugore është angazhuar me shërbime të shtuara në aksin rrugor Lezhë – Mabe, pasi për shkak të motit të keq me erë të fuqishme gjatë ditës së sotme, edhe pas këshillimit të Policisë Rrugore për të qarkulluar me ngadalë, 4 kamionë të lartë janë përmbysur, fatmirësisht pa të lënduar.

Aktualisht në këtë aks rrugor intensiteti i shpejtësisë së erës është shumë i fuqishëm dhe për këtë arsye, Policia Rrugore do të pezullojë lëvizjen e kamionëve me mbulesë deri në një njoftim të dytë, për të evituar aksidentet rrugore.

Policia Rrugore apelon drejtuesit e të gjitha mjeteve që qarkullojnë në këtë aks rrugor dhe në aksin Tepelenë- Fier të ngadalësojnë shpejtësinë  dhe të tregohen të kujdesshëm, të kontaktojnë me punonjësit e Policisë Rrugore si dhe në numrin 112 për çdo problem që mund të kenë gjatë udhëtimit në këtë aks rrugor e më gjatë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: