Dita e parë e kësaj jave nuk ka qenë si gjithë të tjerat për gjyqtarët. Befas ata ishin njoftuar se duhet të paraqiteshin herët në ambientet e FSHF-së, pasi do të bëhej një mbledhje urgjente me vetë presidentin Armand Duka.

Gazeta “Panorama Sport”, zbulon ekskluzivisht nga burime të sigurta në FSHF se Duka ka shprehur hapur nervozizmin e tij për ato që kanë ndodhur veçanërisht në Partizani-Flamurtari 3-1 dhe Laçi-Partizani 1-0. Pasi mbajti një fjalim motivues për vazhdimësinë, Duka më pas nisi të “kryqëzojë” disa prej arbitrave, madje me tone të larta.

Emra si Klajdi Kola, Indrit Myrtja dhe Ardian Beqiri kanë qenë në shënjestrën e numrit një të FSHF-së për shkak të vendimeve të gabuara që ata kanë marrë javë pas jave. “Nuk duhet të bëheni ju faktorë me vendimet që merrni. Gabime të tilla nuk dua të shikoj kurrë. Rezultatin ta vendosin skuadrat me lojën e tyre në fushë”, mësohet të ketë thënë ndër të tjera Duka para arbitrave. Ndërkohë, ndryshe nga herët e tjera, presidenti i FSHFsë ka marrë përsipër t’u bëjë vetë moviolën arbitrave.

I shoqëruar nga kreu i shoqatës së gjyqtarëve, Tahir Kastrati, Duka nuk ka ngurruar të japë disa shembuj përmes monitorit, duke u bërë moviolën arbitrave për rastet që kanë gabuar dhe vendimet që kanë marrë kolegët e tyre në ndeshje të ndryshme në Europë. Mbledhja u mbyll me një mbështetje të kreut të FSHF-së për këtë fazë të nxehtë të kampionatit. “Askush mos të trembet”, tha para arbitrave.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: