Luçiano Moxhi i bën premime të mëdha Partizanit dhe thotë se nuk është larguar nga klubi i kuq. Te kjo e fundit gjithsesi saktëson se “të paktën nga ana ime nuk ka një vendim të tillë…”. Në një intervistë për “Panorama Sport” ish-drejtori i Juventusit, sot zyrtarisht këshilltar i Gaz Demit në klubin kryeqytetas, thotë se po punon për të çuar Esat Malën në një klub europian. Beson te Champions-i nëse Skënderbeu nuk ia del dhe replikon me Starovën për bisedën konfidenciale të largimit nga klubi i kuq.

U bë kohë e gjatë që nuk dukeni te Partizani. Jeni distancuar nga klubi apo ka diçka tjetër?

Nuk ka ndodhur asgjë. Praktikisht kemi një drejtor sportiv që është Preiti dhe që ka bërë një punë shumë të mirë deri tani. Ka sjellë lojtarë të rëndësishëm gjatë merkatos së janarit dhe frytet po shihen. Por, ndërkaq edhe Edgar Çani ia ka dalë të kthehet me ritmin e duhur dhe mendoj se gjërat po shkojnë mirë. Nuk ka pse të diskutohet kaq shumë mungesa ime.

Në fakt çështja është nëse jeni apo jo ende zyrtarisht pjesë e klubit të Partizanit?

Nga ana ime nuk ka fare një diskutim të tillë. Unë ndihem shumë mirë aty dhe me Gazin (Demin) kemi një raport shumë të mirë. U dëgjuam edhe për Pashkë dhe uruam njëri-tjetrin. Nuk e di se kush i shkruan këto gjëra…

E kemi shkruar ne (Panorama Sport), sepse juve prej 50 ditësh nuk dukeni më në Shqipëri, por ndërkaq edhe ish-trajneri Starova pati deklaruar se ju i kishit thënë se nuk do të vinit më në Shqipëri…

Shikoni, nëse vij më në Shqipëri apo nuk vij më, këtë e vendos unë dhe jo të tjerët. Për Starovën kam respekt dhe kam një raport të mirë, por vetëm kaq. Nëse marr një vendim të rëndësishëm, këtë e bëj me drejtuesit e klubit dhe natyrisht që nuk konsultohem apo nuk pyes trajnerët se çfarë do të bëj. Nuk kam folur ndonjëherë në konfidencë me Starovën dhe t’i tregoj atij se çfarë kam ndërmend të bëj. Raporti im është i mirë me të, por thjesht mbetet një raport i mirë…

Po pse nuk keni ardhur për një kohë të gjatë në Shqipëri?

E vërtetë është që kam kohë që nuk vij, por kam pasur shumë impenjime të miat dhe kjo më ka penguar. Ndoshta, javën e ardhshme mund të vij aty. Ndoshta…

Si ju duket Partizani në këtë moment?

Nëse skuadra është përmirësuar, mendoj se kjo gjë ka ndodhur sepse puna e bërë nga drejtori Antonelo Preiti është bërë në mënyrën e duhur. Ai ka vendosur për lojtarët që janë afruar dhe nëse sheh Gojkoviçin që është përshtatur menjëherë dhe po ia del kaq mirë, atëherë kjo do të thotë se tanimë gjërat janë në rrugën e duhur.

Çfarë ju pëlqen më shumë te Partizani tani?

Rinovimi i mbrojtjes. Është delikate kjo pjesë, por shoh që është bërë një punë e shkëlqyer në këtë aspekt dhe ndër më të spikaturit pa dy shim që është Gojkoviç.

Kur ishit drejtor i Juves përpiqeshit që gjithnjë lëvizjet e mëdha në merkato t’i bënit para se të hapej afati zyrtar i merkatos.. a ka një lojtar sot Partizani që mund ta shesë jashtë…?

Nëse ka një lojtar që sot është në vëmendjen e disa klubeve, ai është Mala. Janë disa klube që interesohen për të, por të shohim me kalimin e kohës.

Shtutgarti a është në listë?

Nuk mund t’ju jap emra konkretë klubesh. Mua më pëlqen shumë ai lojtar dhe mendoj se një lojtar interesant si ai, kaq i ri, mund të shkojë në ndonjë klub europian nëse vazhdon të luajë me përulje dhe me impenjimin e duhur.

Pse keni kaq besim se mund t’ia dilni ta çoni në një klub europian një të ri si Mala?

Sepse për fat të mirë lojtarët shqiptarë tashmë e kanë afirmuar veten edhe në Europë. Të gjithë e dinë se sa të aftë janë shqiptarët që të përshtaten në çdo kampionat europian, madje edhe të jenë protagonistë. Kjo gjë do ta ndihmojë edhe Malën apo edhe ndonjë tjetër që do të punojë me seriozitet në të ardhmen.

Ç’mendim keni për Dalipin si trajner?

Mendoj se ka bërë një punë të mirë deri tani. Të shohim sesi do të shkojnë gjërat..

Do të jetë një trajner provizor apo po bëni plane afatgjata me të?

Nuk është mirë që ta kanalizojmë bisedën duke i bërë skaner një trajneri të ri që është në fillimet e veta. Për më tepër, ai ka bërë mjaft mirë deri tani dhe nuk do të ishte korrekte që të themi se çfarë do të ndodhë. Këtë nuk e meriton as Dalipi dhe asnjë trajner tjetër. Mendoj se duhet ta lëmë të punojë i qetë. Në fund të vitit do të jetë Preiti ai që do ta vlerësojë ose do të ketë ndoshta një bisedë të detajuar edhe me drejtuesit e klubit.

Sa shanse ka Partizani që të arrijë vendin e dytë, që ndoshta mund t’i japë edhe mundësinë që të luajë në Champions, nëse Skënderbeu nuk ia del në KAS?

Unë mendoj se ka shanse të mëdha. E besoj vërtet këtë sepse ka një skuadër të kompletuar, ka një tifozëri që e mbështet, por edhe diferenca me ekipin tjetër (Kukësin) nuk është aspak e madhe. Unë besoj se nëse do të vazhdojë të ruajë serinë pozitive që ka bërë deri tani, ka për t’ia dalë mbanë. Do të ishte një kënaqësi e madhe edhe për presidentin e klubit, Gaz Demin sepse ai është tifozi numër 1 i Partizanit dhe ky duhet të jetë një motiv i madh për gjithë skuadrën.

Panoramasport:  http://www.panorama.com.al/sport/ekskluzive-moxhi-staroves-nuk-i-jap-llogari-se-kur-iki-malen-e-shesim-ne-europe/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: