Operacioni antiterrorist i Turqisë “Kiran” në juglindje të vendit, gjatë të cilit u neutralizuan gjithsej 144 terroristë të PKK-së, ka përfunduar “me sukses”, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme e Turqisë.

Në një deklaratë, ministria tha se nga fillimi i operacionit në gushtin e kaluar, katër terroristë u dorëzuan, u shkatërruan një numër shpellash, strehimoresh dhe deposh dhe u konfiskuan sasi të mëdha armësh dhe municionesh.

Autoritetet turke shpesh përdorin fjalën “neutralizim” në deklaratat për të nënkuptuar se terroristët janë dorëzuar, vrarë ose janë kapur.

Më 17 gusht, Turqia nisi operacionin “Kiran” në juglindje të vendit kundër terroristëve të YPG/PKK-së në provincat Van, Hakkari dhe Şırnak, e ndjekur nga dhjetë faza të tjera të operacionit, përfshirë operacionet Kiran-10 dhe Kiran-11.

Ndërkohë, pas intensifikimit të luftës së Turqisë kundër terroristëve, komanda e xhandarmërisë në Mardin ka filluar operacionin “KAPAN” me qëllim të eleminimit të terroristëve në juglindje të vendit.

Gjithsej 975 efektivë të sigurisë, përfshirë xhandarmërinë dhe forcat e policisë, si dhe rojet e fshatrave, janë përfshirë në operacion.

Gjatë operacioneve janë sekuestruar disa pajisje shpërthyese të improvizuara, municione, pajisje mjekësore dhe dokumente organizative.

Gjithashtu, 13 të dyshuar janë arrestuar për ndihmë dhe mbështetje të grupit terrorist.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40.000 njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e PKK-së.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb