TIRANË- Ministria e Punëve të Brendshme përmes një deklarate për shtyp njofton të gjithë qytetarët shqiptarë se është e pamundur marrja e azilit në vendet Shengen.

Në deklaratë, Ministria e Punëve të Brendshme thekson se kohët e fundi është vënë re një rritje e fluksit të personave që aplikojnë për të marrë pasaportë biometrike dhe për rrjedhoje është rritur natyrshëm dyshimi i ekzistencës së një skeme mashtrimi me qëllim final kërkimin e azilit në vendet e BE-së. “Duke parë fluksin e pazakontë të qytetarëve që aplikojnë për pasaporta biometrike përgjatë 48 orëve të fundit, si dhe duke konsideruar maksimalisht të dhënat paraprake mbi mundësitë e një skeme mashtrimi për udhëtimin në zonën Shengen, me qëllim final kërkesën për azil në vendet e BE-së, Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje qytetarëve të distancohen nga çdo iniciativë ose ofertë me qëllim mashtrimi për azil të kundërligjshëm në vendet e Bashkimit Europian”, shkruhet në njoftimin e MPB-së, ku nënvizohet se Ministria e Punëve të Brendshme bën me dije se është absolutisht e pamundur, fitimi i azilit në çdo vend të BE-së.

“Policia e Shtetit ka shtuar kontrollet dhe rritur masat në Pikat e Kalimit kufitar për evidentimin e plotë të dokumentacionit dhe përmbushjen e të gjitha kritereve për udhëtimin e qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen.

MPB kujton edhe njëherë qytetarët që kërkojë të udhëtojnë në zonën Shengen, mbi detyrimin që përveç paraqitjes së dokumentacionit të udhëtimit, të shpjegojnë edhe itinerarin, qëllimin e udhëtimit, si dhe garancitë financiare të kërkuara”, deklaron MPB.

Po ashtu në deklaratë bëhet me dije se Policia e Shtetit ka nisur hetimet mbi raste të mundshme trafikimi të qenieve njerëzore, me qëllim evidentimin e çdo rrjeti apo skeme mashtruese për përfitimin e azilit.  “Nga ana tjetër, në bashkëpunim dhe me partnerët ndërkombëtare, janë marrë masat për mos lejuar, kthyer dhe ndjekur penalisht në zbatim të legjislacionit në fuqi, çdo shtetas shqiptar që abuzon me të drejtën për të udhëtuar në zonën Shengen, duke kërkuar në mënyrë të padrejtë azil politik”, përfundon deklarata e MPB-së.

Kjo deklaratë vjen 24-orë pas lajmit të publikuar në media se në zonën e Kukësit ka një rritje të ndjeshme të aplikimeve për pasaporta biometrike. Sipas lajmit të publikuar në media mësohet se në një javë janë kërkuar 510 kupona dhe 90-të prej të cilave me procedurë të përshpejtuar.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb