TIRANE – Ministria e Punëve të Brendshme përgënjeshtron lajmin e përhapur në media për një revoltë të azilkërkuesve në Qendrën e Pritjes në Babrru. Përmes një deklarate, MPB sqaron opinionin publik se nuk ka asnjë shtetas azilkërkues, pjesë e marrëveshjeve të shtetit shqiptar me palë të treta, të arratisur nga Qendra përgjatë vitit të fundit.

Ministria e Brendshme informon se Institucioni i Pritjes së Azilkërkuesve në Babrru, Tiranë, nuk ruhet me forca të posaçme policore, pasi ajo është një Qendër e hapur.

“Qendra funksionon sipas parametrave ndërkombëtare të pritjes së azilkërkuesve, fëmijët e shtetasve që kanë kërkuar azil në Shqipëri janë të regjistruar në kopshte apo shkolla publike, madje ka edhe të punësuar me kohë të pjesshme. Përgjatë vitit organizohen vizita në pika turistike, në bashkëpunim me operatorë privatë. Për të lehtësuar komunikimin me familjarët është krijuar një sallë interneti, si dhe është ngritur një bibliotekë. Për shtetasit e huaj që jetojnë në Qendrën pritëse, punon një staf me psikolog, përkthyer, punonjës social dhe janë në shërbim 24 orësh 1 mjek dhe 2 infermierë.”- thuhet në reagimin e MPB-së.

“Institucioni, gjatë kësaj periudhe ka qenë i monitoruar nga Organizata ndërkombëtare të njohura apo vendase, që merrem me të drejtat e njeriut dhe specifikisht me trajtimin e emigrantëve, si UNHCR, Avokati i Popullit etj.”- përfundon deklarata e Ministrisë së Brendshme.

Sipas disa mediave në Tiranë, mbi 60 emigrantë sirianë dyshohet se u arratisën nga qendra e azilkërkuesve në Babrru dhe Qendra e Mbylljes së Emigrantëve të Parregullt në fshatin Kareç të Vorës, për shkak të kushteve të këqija të ambienteve ku mbahen emigrantët.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb