TIRANË

Në kërkesën drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, 50 firmëtarë të Partisë Socialiste rendisin provat, që sipas tyre, faktojnë që Kreu i Shtetit ka shkelur Kushtetutën.

Deputetët e PS, që kanë firmosur kërkesën, nga Taulant Balla, te Pandeli Majko e Spartak Braho, risjellin në vëmendje disa deklarata të forta të Presidentit Meta, të bëra para, gjatë dhe pas fushatës elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit.

Sipas ligjvënësve të majtë, këto deklarata të Kreut të Shtetit çuan deri në një humbje jete, duke iu referuar kështu vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan, katër ditë para zgjedhjeve.

“Me sjelljen e tij, mesazhet drejtuar publikut me qëllim përkrahjen e nxitjen e vetëgjyqësisë, të cilat në Elbasan çuan edhe në humbje jete, terrorit, aktet e dhunës në rrugët e vendit në prag të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, mesazhet dhe sjelljet e intimidimit të votuesve, gjyqtarëve dhe prokurorëve, forcave të policisë, përfaqësuesve të lartë të misioneve diplomatike, çuan në cënimin e imazhit të Shqipërisë në botë dhe cënimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon dhe më gjerë”, thuhet në kërkesën e PS.

Më poshtë, po ju sjellim disa nga deklaratat e Presidentit Ilir Meta, që citohen në kërkesën e PS me 41 faqe: 

“Kërcënimi i fundit që vjen përmes Tao Taos, nga bandat e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë, ka vetëm një përgjigje: Presidenti gati për të firmosur dekretin për mbrojtjen e Republikës! Shqipëria e shqiptarëve! Vdekje tradhtarëve!”

“Të dashur prokurorë dhe gjyqtarë! Dëgjojeni mirë Presidentin e Republikës! Boll dëgjuat përfaqësuesin e Ndrangheta-s, Don Agaçion. Nëse jo, një pikë gjaku të derdhet nesër, por edhe një pikë loti, mjerë ju! Nesër duhet të jetë Festa e Demokracisë!”

“Cfurqet do jenë të dielën, nëse preket vota. Zgjedhje si të Shijakut dhe të Dibrës, nuk do të ketë më. Kjo histori ka marrë fund…”.

“Lidheni të marrin shokë socialistë përpara se të ketë fatin e furgonit në Berat… Unë do shkoj në shtëpi, kur ti të shkosh në psikiatri”.

“Bravo qytetarëve të Beratit! Gjejini! Izolojini! Mos i toleroni! Nuk ka patronazhist, fuks dhe bandit, që mund të ndalë ndryshimin e madh më 25 prill! ‘Ngrehuni dhe bjeruni, korini dhe shtypini, katundar e punëtorë, që nga Shkodra gjer në Vlorë’! Me qetësi dhe vendosmëri drejt 25 prillit!

“Janë të shqetësuar nga mesazhet e Presidentit! Le të shqetësohen dhe le të tmerrohen të gjithë ata, të cilët mendojnë se do bëjnë “tërmet” në zgjedhje, si në Dibër, apo si në Shijak, qofshin këta qeveritarë, punonjës policie; qofshin banditë, gjithçka qofshin”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb