TIRANË- Ministria e Shëndetësisë rendit disa nga investimet e kryera së fundmi në maternitetin e Pogradecit dhe spitalin e Bulqizës, ndërsa deklaron se “PD investoi zero lekë për 8 vjet me radhë në këto spitale”. Duke reaguar ndaj deklaratave të sotme të deputetëve demokratë, Ministria e Shëndetësisë shprehet se “spekulimi dhe kundërvënia e egër nuk na ndalin në rrugën e reformës që kemi ndërmarrë për shndërrimin rrënjësor të sistemit të kujdesit shëndetësor”.

“Sapo kemi filluar investimin 18 milionë lekë për spitalin e Bulqizës. Deri në 2015, Rilindja investoi 1.5 miliardë lekë për spitalet, dhe vijojmë me 2.5 miliardë lekë të tjera deri në 2017”, thuhet në një deklaratë për shtyp të MSH. “Materniteti i Pogradecit apo spitali i Bulqizës, dhe shumë prej spitaleve të tjera në vend janë në gjendje të mjerueshme tërësisht për faj të PD-së, ndërkohë që ne po ndërtojmë përditë, të vendosur në rrugën tonë për reformimin rrënjësor të shëndetësisë”, vijon deklarata.

Ndërkohë, MSH rendit disa nga investimet e kryera në maternitetet e vendit:
Në vitin 2014:
-Vendosëm 10 inkubatorë të rinj në dy maternitetet e Tiranës;
-Përfunduam rikonstruksionin SUOGJ “Koço Gliozheni” në vlerën 350 mijë USD;
-Vendosëm pajisje të reja në laboratorin e SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”;
-Vumë në funksionim kabinetin e ri të fertilizimit in-vitro në SUOGJ “Koço Gliozheni”.
Në vitin 2015:
-Vumë në funksionim ECHO-n e parë 4D (4-dimensionale) në Qendrën e Shëndetit të Gruas të SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”;
Te ky institucion, u kryen gjithsej 250 mijë dollarë investime, përfshirë 6 inkubatorët e rinj në shërbimin e neonatologjisë, laboratorët, sallat e kirurgjisë obsetrike dhe reanimacionin, si dhe ECHO-n e re dhe kabinetin e imazherisë.
Ndërkohë, në vitin 2016,
-Është në proces dhe do të përfundojë dhe vihet në shfrytëzim rikonstruksioni i maternitetit të Gjirokastrës për t’i shërbyer rreth 800 lindjeve në vit. Vlera e përgjithshme investimit (rikonstruksion dhe pajisje) është rreth 149 milionë lekë. Në 2016 do të investohen rreth 49 milionë lekë;
-Vijon zbatimi i investimit për ndërtimin e maternitetit të ri, shtesë 2 kate dhe rikonstruksion i repartit kirurgji dhe patologji në spitalin e Sarandës me një vlerë totale prej rreth 229 milionë lekë.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: