NGA ERJON SKËNDAJ*

TIRANË- Me një ditë vonesë Ministria e Shëndetësisë ka kujtuar ditën botërore të luftës kundër AIDS-it, ditë kjo që simbolizon përpjekjet që bëhen në mbarë globin për ndërgjegjësimin e popullatës përballë këtij rreziku që rritet nga viti në vit.

Në aktivitetin e mbajtur Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj vlerësoi treguesit e ulët të përhapjes së HIV-it në Shqipëri por që vitet e fundit po shfaq një trend në rritje.

“Të dhënat ekzistuese dëshmojnë se në Shqipëri, nuk ka epidemi të gjeneralizuar, apo të përqendruar, të infeksionit HIV. Shqipëria vijon të mbetet një vend me prevalencë të ulët të infeksionit HIV, ose 0.03%, dhe incidencë 0.003%. Por, pavarësisht ndalimit dhe përmbysjes së incidencës së infektimit me virusin HIV/SIDA globalisht deri në vitin 2015, dhe ndonëse prevalenca e infeksionit HIV në Shqipëri është e ulët, vihet re një prirje në rritje e numrit të rasteve të reja në vitet e fundit. Numri i personave që kanë rezultuar HIV pozitivë për 2015 (Nëntor 2015) është 87 persona, ku midis tyre raportohet edhe një fëmijë, ndërsa numri i përgjithshëm i fëmijëve të infektuar shkon në 40”, tha Beqaj.

Referuar statistikave zyrtare, vetë ministri është treguar skeptik sa i përket përhapjes së virusit.

“Në kushtet e mungesës së vlerësimeve të përhapjes së infeksionit HIV në Shqipëri, është ende e vështirë të njohësh shkallën e përhapjes së tij. Mjaft njerëz kanë ende shumë frikë të shkojnë për të bërë testet, dhe prandaj, simptomat e kësaj të keqeje nuk arrijnë të diagnostikohen në fazat e hershme. Gjithashtu, studimet tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e njerëzve që jetojnë me HIV, nuk janë në dijeni të diçkaje të tillë”, u shpreh ministri.

Me gjithë përpjekjet e qeverisë shqiptare, trajtimi i sëmundjes dhe të prekurve nga AIDS mbetet shumë larg direktivave të OBSH.

“OKB është e fokusuar në ofrimin e ndihmës për të gjitha HIV-it pozitiv të trajtohen me medikamentë retroviralë, dhe 90 përqind e të sëmurë që trajtohen me mjekim retroviral të kenë mundur të ulin ngarkesën e tyre virale”, tha David Saunders përfaqësues i OKB në Shqipëri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: