Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka apeluar te gratë shtatzëna që të vaksinohen kundër COVID-19, në mënyrë që të parandalojnë infektimin me virusin e rëndë, shtrimin në spital dhe lindjen e parakohshme.

Në njoftimin e MSH thuhet se gratë shtatzëna kanë mundësi të përjetojnë simptoma më të rënda të infeksionit nga COVID-19.

“Vaksinat krijojnë imunitet si te gratë shtatzëna ashtu edhe tek nënat gji-dhënëse”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Sipas MSH, studimet kanë dëshmuar se nënat e vaksinuara kanë antitrupa në qumështin e gjirit, përmes të cilit i sigurojnë mbrojtje edhe foshnjës.

“Për shkak të rritjes së numrit të varianteve të virusit (SARS COV-2) dhe rëndësisë së mbrojtjes së grave shtatzëna dhe nënave gji-dhënëse, vaksinimi i tyre ka rëndësi në parandalimin e infektimit, sëmundjes së rëndë, shtrimit në spital dhe lindjes së parakohshme”, njofton MSH.

Aktualisht situata epidemiologjike në Kosovë është e qetë. Më 27 dhjetor janë regjistruar katër raste të reja me coronavirus, ndërkaq raste aktive janë 343 raste. Deri më tani, 780,765 qytetarë të Kosovës janë vaksinuar plotësisht me të dy dozat.

Ministria e Shëndetësisë, më 27 dhjetor njoftoi se të gjithë qytetarët që kanë marrë dy dozat e vaksinës para tre muajsh, mund ta marrin dozën përforcuese.

Ekspertët shëndetësorë në Kosovë kanë thënë se simptomat e gripit stinor dhe variantit Omicron janë të ngjashme, prandaj ata kanë kërkuar që diferencimi të bëhet përmes testeve laboratorike.

Ndërkaq, disa studime të kryera në botë kanë sugjeruar se varianti Omicron mund të jetë më i lehtë se Delta, i cili aktualisht është variant dominues në Kosovë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb