Ministria e Shëndetësisë i ka dhënë dritën e gjelbër sot testime serologjike për COVID-19 nga laboratorët jopublikë. Komiteti Teknik i Ekspertëve, ka miratuar Protokollin për fillimin testimeve serologjike edhe tek privati por se testet duhet të jenë të validuara paraprakisht nga ISHP.

Një nga laboratorët më të njohur në vend dhe me eksperiencë të gjatë, Intermedica është gati për të nisur testimet sapo të marrë licencimin nga ISHP.

Doktor Vasil Llajo, administratori i Intermedica deklaron se Intermedica i ka të gjitha kapacitetet si në kite ashtu dhe në staf.

Pyetjes a jemi ne gati për të filluar testimet serologjike në laboratorët privatë, Llajo iu përgjigj “Strukturat private kanë qenë me kohë të kryenin testimet serologjike si dhe testimet me PCR në lidhje me koronavirusin SARS-COV 2. Testimet serologjike janë një procedurë e zakonshme, rutinë kështu që nuk ka asgjë të re për të shtuar, përveç kitit i cili është i certifikuar.”

Ai tha se përvoja e vendeve evropiane është që testimi me PCR ose me serologjik ka nisur paralel me sektorin publik, sektori privat dhe sektori publik.

“Në Shqipëri ka qenë një orientim i komitetit teknik për të cilën ne e kemi respektuar për të mos u bërë tamponët, ose ajo që quhet metoda me PCR tek sektori privat. Mendoj që koha tashmë është të hapet numri i testimeve në popullatë sepse nuk është vetëm diagnostikimi në rastet asimptomatike, nuk është vetëm gjurmimi i rasteve por është edhe lëvizja e lirë e njerëzve për të cilën do kërkojë certifikatat e nevojshme, rezultatet e nevojshme për  të lëvizur jashtë shtetit. mendoj që është koha që qeveria t’i hapë, ky komitet teknik të japë orientime të tilla. Si sektori publik dhe sektori privat janë nga një anë e luftës ndaj koronavirusit”, deklaroi Llajo.

Ai tha që një laborator të nisë testimet duhet të jetë i akredituar me ISO përkatëse.

“OBSH ka dhënë disa udhëzime dhe udhëzimet e saj përcillen nëpërmjet ISHP në vendet respektive. Dhe në vendin tonë organi kompetent për këtë është ISHP. Orientimi bazë është që duhet të jene të akredituara me ISO 15189 laboratorët që të jenë të afta të kryejnë testimet e COVID.

Intermedica është një nga laboratorët që ka ISO 15 189 edhe për sëmundjet virale. Madje dhe për sëmundjet virale me përmbajtje të ARN-së të viruseve që kanë përmbajtjen e tyre në ARN. Pra, përveç kushteve të akreditimit, duhet të kesh dhe kapacitetet e nevojshme teknike me analizatorë dhe kapacitetet e nevojshme me mjekët dhe personelin e nevojshëm për të kryer këto testime”, tha doktor Llajo.

Ai theksoi më tej se laboratori Intermedica i ka të gjitha kapacitetet dhe teknike sepse kemi analizatorë automatikë si për të kryer PCR-në edhe për të kryer serologjinë. “Dhe në serologji ne kemi analizatorë automatikë të dy kompanive në të cilën ne realizojmë të dyja metodat. Kur kemi reaksionet e kryqëzuara, reaksionet e dyshimta se mund të jetë fals pozitiv ose fals negativ ne e bëjmë kryqëzimin e tyre me të dyja metodat dhe kështu që nxjerrim një rezultat të saktë për pacientin.

Ne mund të bëjmë teste, mund të përballojmë edhe 1000 teste në ditë. Laboratori punon 16 orë dhe mund të punojë dhe 24 orë nëse është nevoja dhe kitet janë në sasira të tilla që mund të përballohet dhe neve sapo të na licencohet laboratori nga ISHP ne mund të fillojmë që të nesërmen kryerjen e analizave. Strukturat janë gati për arsye se ne bëjmë tashmë PCR për viruset e tjerë, bëjmë serologji për viruset e tjerë, pra nuk kemi për të shtuar asgjë tjetër përveçse një kit për koronavirusin”, deklaroi Llajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb