Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Ministria e Shëndetësisë ka shpallur 53 vende vakante për mjekë dhe infermierë, të shpërndara në 40 qendra shëndetësore në rrethin e Tiranës. Bëhet fjalë për mjekë të përgjithshëm dhe specialistë në Pediatri, Kardiologji, Kirurgji e Otorinolaringologji, ndërkohë që “Gazeta Shqiptare” publikon sot të plotë listën me vendet dhe pozicionet e kërkuara sipas qendrave shëndetësore. Duke iu referuar kësaj liste, numri total i mjekëve dhe specialistëve që kërkohet është 23, ndërsa i infermierëve shkon në 30. Sipas MSH-së, kandidatët e interesuar për këto vende pune duhet të kenë mbaruar studimet e larta universitare në një fakultet me program të akredituar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Ndërsa, për kandidatët që kanë studiuar jashtë vendit, diploma e tyre duhet të jetë e njohur nga MAS. Gjithashtu, kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë edhe një sërë dokumentesh (shih tabelën bashkëngjitur shkrimit) që duhet të paraqiten në protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë nga ora 12.00-16.00, brenda datës 31 gusht 2015.
Përzgjedhja
Ndërkaq, sipas urdhrit me numër 87, të ministrit Ilir Beqaj, vlerësimi total për mjekët e përgjithshëm është 80 pikë, ndërsa për mjekët e specialiteteve është 100 pikë. Këto pikë mund të grumbullohen nga nota mesatare, njohja e gjuhëve të huaja, grada shkencore, eksperienca në profesion, si dhe diploma e dëshmi të tjera kualifikimesh profesionale me afat mbi 2 javë. Ndërkohë që, sa u takon kritereve të vlerësimit për personelin infermieror në qendrat shëndetësore, urdhri saktëson po të njëjtat kritere, por vlerësimi maksimal në këtë rast është 70 pikë. Ndarjen e pikëve, që fitohen sipas notës mesatare, llojit të gjuhës së mbrojtur, shkallës së gradës shkencore apo vjetërsisë në punë, mund ta gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb