Analisti dhe avokati Spartak Ngjela paralajmëron se shtatori do të jetë muaji antikorrupsion në Shqipëri dhe më pas në Kosovë.

Sipas  tij, në këtë muaj do të goditet elitat politike në Shqipëri e Kosovë dhe personaliteteve të larta pritet t’u merren paratë dhe pronat.

Ngjela vë gishtin tek ish-kryeministrin Sali berisha dhe Presidenti Ilir Meta, sipas të cilit janë të dy drejt shkarkimit, një nga KQZ dhe tjetri nga Gjykata Kushtetuese.

Ai vijon më tej se deri më tani pushtimin e shqiptrëve nga korrupsioni e ka goditur shpallja ‘non grata’ e Berishës nga SHBA. Ngjela citon vendimin e DASH duke e quajtur familjen Berisha si një çerdhe korrupsioni.

 

STATUSI NGA SPARTAK NGJELA

Ky do të jetë muaji antikorrupsion…

Ky pritet të jetë muaji antikorrupsion në Shqipëri, por, më pas, edhe në Kosovë, kundrejt elitave politike në Tiranë dhe në Prishtinë. Këto elita tani kanë falimentuar; pritet t’u merren paratë dhe pronat.

Shqiptarët e Shqipërisë janë të pushtuar plotësisht nga korrupsioni, reforma antikorrupsion do t’u sjellë çlirimin historik.

Dhe, tani, këtë pushtim e ka goditur me vendim non grata politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në nivelin më të lartë të tij: te Sali Berisha.

Domethënë se Amerika po kërkon pastrimin e krerëve të lartë të korrupsionit në Shqipëri?

Por, dy janë figurat politike të  kryqëzuara juridikisht në këtë kohë: Ilir Meta dhe Sali Berisha. Të dy nuk kanë më të ardhme, se janë drejt shkarkimit, njëri nga gjykata kushtetuese dhe tjetri nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sot, në Shqipëri, ligji për Dekriminalizimin, nuk lejon që, personat e dëbuar nga Amerika si persona non grata, të jenë deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.

Fiks këtë, ka kërkuar edhe ambasadorja e Amerikës në Tiranë.

Edhe Sali Berisha tani është një person i tillë, por me një tekst të rreptë diplomatik dhe juridik njëherësh, kundër tij.

Teksti i vendimit të Departamentit të Shtetit, që e ka nxjerrë non grata Sali Berishën, domethënë si të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara, e vë theksin se: “Berisha, me gjithë familjen e tij, është një çerdhe e rrezikshme korrupsioni, e cila cënon sigurinë e Amerikës”.

Pas kësaj, a ka shqiptar që mund ta pranojë më Berishën si deputet të tij?

Kjo pyetje nuk ka nevojë për përgjigje.

Po, Saliu, nuk e kupton dot këtë?

Po, as Partia Demokratike nuk e kupton dot këtë?

Megjithatë, e tërë kjo çështje e trajtuar juridikisht kështu, është në dorë të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, për Saliun, dhe të Gjykatës Kushtetuese për Metën. Të shohim vendimet e tyre, por, a do ta zbatojë KQZ-ja ligjin me vendim për mosdhënien e mandatit të deputetit Sali Berishës?

Le të presim…

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb