TIRANE

Në kuadër të muajit të inovacionit, universiteti “Luarasi” po vijon me zhvillimin e aktiviteteve që ndihmojnë në formësimin profesional të studentëve qe i japin përparësi këtij procesi. Pas projektit E-Gjimnazi, fakulteti i Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit ka organizuar një konkurs ku të rinjtë kanë shpalosur idetë dhe projektet e tyre inovative realizuar në formën e një start up-i. Në praninë e pedagogëve dhe stafit akademik, 7 grupe studentësh kanë prezantuar projekt-idetë e tyre për të përmbushur kërkesat ekzistuese të tregut, veçanërisht atij shqiptar.

Rektori i univeristetit, prof.dr. Ethem Ruka vlerësoi këtë konkurs dhe tha se Luarasi po punon çdo ditë e më shumë për ti dhënë mundësi studentëve të jenë inovativë.

Gjithçka nisi nga ideja e dy pedagogëve të lëndës Menaxhim Inovacioni, Endri Plasari dhe Florenc Hidri të cilët menduan që të sillnin për studentët jo vetëm leksione, por një start-up. Dekani i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit, Indrit Baholli tha se ky muaj është një risi që synon të kombinojë teorinë me praktikën.

Ky konkurs u finalizua me shpalljen e 4 fituesve ku Rei Bengu rrëmbeu çmimin “Ideja më e mirë” me projektin “Reddot Art”. Ndërkohë grupi i kryesuar nga studenti Ergion Kapani u vlerësua si “Produkti më i mirë” ndërsa “Prezantimi më i mirë” shkoi për grupin e Silvio Progonati. Si “Ekipi më i mirë” u vlerësua grupi i kryesuar nga Albin Cani.

Zv/Rektorja Ani Dasho Sharko zbuloi surprizën e radhës; së shpejti në Luarasi do të krijohet një qëndër inovacioni.

Nëpërmjet nismave të tilla, Luarasi synon të zgjerojë ekosistemin e inovacionit në Shqipëri, duke zbuluar e mbështetur talentet e reja në fushën e menaxhimit e zhvillimit të inovacionit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb