NGA JETON SELIMI

TIRANE- Java e katërt e Kategorisë Superiore do të mbyllet me kryendeshjen Skënderbeu-Tirana, e cila u zhvendos për të hënën për shkak të impenjimeve europiane që kanë kampionët e Shqipërisë. Trajneri i Tiranës, Shkëlqim Muça, e cilëson një përballje të rëndësishme, por jo vendimtare, duke qenë se kampionati është ende në start.

“Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme për pozicionin që jemi dhe për mangësinë e pikëve që kemi, çdo ndeshje bëhet akoma më e rëndësishme. Kjo ndikon edhe për anën psikologjike të lojtarëve, por jo për kampionatin, që ka ende takime për të luajtur. Të dyja ekipet njohin lojtarët e njëratjetrës dhe mendoj se është sfidë e hapur,” tha Muça pas stërvitjes së fundit para takimit të ditës së hënë, që u zhvillua me dyer të mbyllura.

Më pas trajneri i 24 herë kampionëve të vendit thumbon rivalët, duke qenë se Tirana ka luajtur për shumë sezone në Kupat e Europës, edhe atëherë kur Skënderbeu militonte në ligat e ulëta, ndaj nuk e shikon si dobësi të korçarëve impenjimin e tyre në Europa Ligë.

“Kur ne kemi qenë në kupat e Europës, Skëderbeu ka qenë në kategori më të ulëta dhe tani është ndryshe. Unë jam i kënaqur për çdo ekip të që ecën në të tilla aktivitete, pasi është në të mirë të futbollit shqiptar, por kjo nuk do të thotë që jemi inferiorë”, sqaroi trajneri i bardhebluve.

Në fund, Shkëlqim Muça ka edhe një kërkesë, që takime të këtij niveli të mos luhen më në ditët e hëna, për shkak se tifozët nuk mund të ndjekin ekipin e tyre të zemrës. Gjithashtu, i gatshëm për ndeshjen do të jetë Ervin Bulku, ndërsa Vucaj nuk ia ka dalë që të gati për këtë 90-minutësh.

“Në Korçë është një ambient i mirë. I vetmi sugjerim është që të tilla ndeshje të mos luhen të hënën, pasi tifozët kanë angazhime dhe ne për ata luajmë dhe mendoj se ditët më të parshtatshme janë e shtuna ose e diela” – deklaroi Shkëlqim Muça para gazetarëve. Ndërkohë, korçarët duket se janë gati që të lënë pas shpine zhgënjimin në Europa Ligë, ndërsa Mirel Josa do të hedhë nga minuta e parë dyshen Olajinka-Salihi, për të thyer një nga rivalët për titullin kampion.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: