Nisi një projekt me bardheblutë, por u shkarkua dhe zëvendësua pas shtatë javësh kampionat. Një zgjedhje për të cilën klubi kryeqytetas duhet ta likuidojë atë pas vendimit të fituar në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve pranë FSHF-së.

E megjithatë, Shkëlqim Muça sheh të avantazhuar Tiranën këtë herë se mund të fitojë derbin. Sipas trajnerit, diferenca do të jetë te grinta e lojtarëve në fushë ku pritet të shfaqen dy skuadra të tjetërsuara për 90 minuta. Për kreun e kampionatit, Muça sheh Skënderbeun si skuadrën që do të mund të ruajë titullin.

Profesor, nga ndeshja me Skënderbeun te barazimi i thatë me Teutën. Si e keni parë Tiranën në këtë periudhë?
Asnjë ndeshje nuk ngjan me tjetrën dhe çdo javë është e ndryshme. Gjithashtu, ekipet ndjekëse të Skënderbeut nuk kanë treguar aspak stabilitet. Tirana kishte shansin këto dy javë që të bënte hapin vendimtar për t’iu afruar dyshes kryesuese, megjithatë, pas një ndeshjeje relativisht të mirë në Korçë, bëri hapin fals me Teutën.

Mund të quhet tashmë e përfunduar kjo mundësi e Tiranës?

Së pari, një ekip që synon një vend të lartë (pra mes dy të parave) duhet të bëjë sa më pak gabime. Në futboll asnjëherë nuk mund të thuash që ‘çdo gjë është e mbyllur’, megjithatë është shumë e vështirë që Tirana të kapë Partizanin. Ka edhe një shans që është ndeshja direkte, por edhe në rast fitoreje, diferenca me vendin e dytë është shumë.

E konsideruat hap fals barazimin me Teutën…
Po, pasi ishte shansi që Tirana t’i largohej asaj në renditje dhe të krijonte njëfarë distance sigurie që çfarëdo që mund të ndodhte, ta mbante “të qetë” për Europën. Ajo ndeshje, më shumë është si një fitore për Teutën.

Çfarë duhet të bëjë Tirana tashmë, mos ndoshta rrezikohet shumë edhe nga Teuta?
Çdo ekip duhet të shohë që të marrë pikët e saj, pa parë shumë të tjerat. Tirana është në vend të tretë dhe duhet të punojë e të luftojë për të marrë maksimumin për atë pozicion. Sa i përket Teutës, është skuadra që pothuajse ka mbajtur të njëjtin pozicion në të tria fazat dhe të bën të thuash që është shumë pranë objektivit.

Si e komentoni eliminimin nga Kupa?

Për mua ishte hapi më i gabuar që ka bërë këtë sezon. Duke dalë nga gara për titull, i vetmi synim i bardhebluve për trofe ishte Kupa. Ajo ishte një ndeshje vendimtare për të.
Pas kësaj jave, diferenca mbeti sërish katër pikë mes dy ekipeve kryesuese.

Si mendoni se do të jetë deri në fund?
Unë mendoj se Skënderbeu është më afër fitimit të titullit, pasi është skuadër më e konsoliduar. Pavarësisht ndeshjeve të vështira që do të ketë, ka organikë më të plotë dhe ka lojtarë me eksperiencë që e bëjnë të jetë një hap përpara Partizanit. Ana tjetër e medaljes në këtë garë është fundi i tabelës.

Mes Vllaznisë, Bylisit dhe Flamurtarit, cilën shihni si më të rrezikuar?
Gara është shumë e vështirë dhe gjithçka do të varet nga ndeshjet që do të zhvillojnë dhe pikët që do të grumbullojnë. Të tria kanë bërë përpjekjet e tyre për të ndryshuar në merkaton e janarit dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjnë në fushat e tyre, duke qenë se në transfertë nuk bindin, pavarësisht se mund të rrëmbejnë pikë.

U bënë disa ndeshje që derbi është një “tabu” për Tiranën. Si e prisni këtë përballje?
Çdo ndeshje midis tyre është histori më vete dhe të dyja skuadrat transformohen në atë 90-minutësh. Nuk shihet çfarë ka ndodhur më parë, apo as çfarë lojtarësh mungojnë. Unë mendoj që këtë herë mund të jetë Tirana që do ta ketë radhën për të fituar.

Kjo vetëm për të thyer statistikat, apo sepse ekipi ka mundësi që të fitojë derbin?
Jo, pasi e përsëris që këto ndeshje nuk kanë lidhje me të tjerat. Derbi është i tillë që vendoset nga grinta në fushën e lojës.

Kush mund të bëjë diferencën në këtë përballje?
Është ndeshje që bëhet lojë skuadre dhe ajo vendos. Është lojë grinte ku taktika pak ndikon, sepse sado që të punosh për qetësi, loja paraqit situata që i zgjidhin futbollistët. Te Partizani nuk shoh lojtarë që bëjnë diferencën, ndërkohë që te Tirana, as Bakaj nuk ka qenë ndeshjet e fundit.

Tirana sërish nuk ka sulmues, ndërkohë që me Almeidën përsëritet rasti “Gilberto”…
Për Almeidën nuk mund të flas, por di të them se siç erdhi, ashtu iku, prandaj nuk e shoh të njëjtë si në rastin me Gilberton që gjithsesi u provua disa ndeshje. Përgjegjësia është te menaxhimi, pasi duhet parë mirë se çfarë ka bërë lojtari vitin e fundit. Dy të tillë janë Fukui dhe Karan që janë paraqitur mirë me ekipet e tyre vitet e fundit dhe prandaj nuk është bërë gabim me ata.

Ju i keni mbyllur likuidimet me Tiranën?
Unë i kam fituar gjyqet, por Tirana nuk është përgjigjur. Menaxhimi i dobët që ka bërë, e ka çuar në këtë gjendje ku duhet të paguajë gjoba që i vijnë në momentin kur drejtuesit mendojnë se i mbyllin çështjet me lojtarët dhe trajnerët që largojnë ditën që marrin vendimin.

A rrezikon Tirana nga borxhet?
Natyrisht që po, pasi vendimet e formës së prerë janë të tilla që do të vijë një ditë kur do të marrin formë. Mund të vijnë edhe si të papritura nga FIFA. Ndonjëherë, edhe FSHF, që ka prirjen për t’i ndihmuar skuadrat, gjendet në momente që s’ka se çfarë të bëjë. Më vjen keq që këto histori kanë qenë dhe po vazhdojnë.
(PanoramaSport/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb