Në një intervistë për emisionin “Jeta pa filtër” me autore psikologen Ervisa Lula, Genci Muçollari drejtuesi i Aksion Plus thotë se shifrat e përdoruesve të drogës janë rritur dhe janë bërë alarmante.

Qendrat të cilat ofrojnë ndihmë për këto target grupe janë të pakta dhe nga pamundësia rehabilitimi bëhet i pamundur. Moshat e përdoruesve nisin nga 8-10 vjeç dhe kryesisht janë vajza dhe fëmijë të rrugës të cilët shfrytëzohen më pas dhe kthehen në shpërndarëse droge dhe punonjëse seksi.

Disa prindër e shohin burgun si të vetmen zgjidhje, por Muçollari shprehet se futja në burg e këtyre personave e përkeqëson gjendjen e tyre ndaj në bashkëpunim edhe me organet e drejtësisë, masa me arrest shtëpie ka rezultuar si alternativa më e mirë. Edhe pse menaxhimi i sjelljes dhe jeta me një fëmijë përdorues droge është e vështirë, statistikat tregojnë se baballarët largohen të parët ndërsa nënat luftojnë e dorëzohen të fundit.

Për sa i përket mundësive për lënien përgjithmonë të drogës Muçollari shprehet se “Nëse drogën e marrim si një sëmundje shumë funksionale edhe e trurit mund të zgjasë për gjithë jetën dhe është e ngjashme si sëmundjet e tjera kronike, si diabeti, që duan një terapi mbajtëse përgjatë gjithë jetës.” Rasti që ai diferencon dhe e referon si një rast të vërtetë suksesi është rasti i një djali student i cili mësonte shumë dhe vinte nga një familje shumë e mirë. “Babai i tij dhe gjithë familja kanë ndihmuar në ngritjen e qendrës. I nxitur nga grupi shoqëror përdorte shumë drogë dhe ishte i talentuar në matematikë e donte të shkonte të studionte në Gjermani për matematikë. Luftoi fort dhe e la drogën pas një historie të vështirë, shkoi në Gjermani por nuk zgjodhi të studionte matematikë, por psikologji. Sot ai punon dhe kontribuon si psikolog për të gjithë njerëzit që kanë nevojë”. “Jeta pa filtër” transmetohet çdo të mërkurë ora 10:20 në News24.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb