TIRANE – Ministria e Arsimit ka marrë masa për rishkrimin e tekstit të Sociologjisë së klasave të 11-ta, pas kërkesës së Komunitetit Mysliman për të korrigjuar gabimet që lidhen me besimin islam. Konkretisht në faqen 109 të librit shkruhej se “Allahu është i vetmi Zot dhe Muhamedi është biri i tij”. Por sipas predikimeve Islame, Muhamedi është i dërguari i Allahut.
Në kërkesën që KMSH i drejtoi Ministrisë së Arsimit theksohej se: “Gjatë këtyre ditëve qarkullon në mediat e komunikimit një pasaktësi e dallueshme në tekstet shkollore të miratuar nga Ministria e Arsimit, i cili ngjall zemërim tek besimtarët myslimanë. Përkatësisht; në faqen 109 të Sociologjisë, Klasa 11, e mesme, me autor: Fatos Tarifa, Klementim Mile, dhe Flora Gjoka. ISBN 978-99956-93-10-7, ku citohet: “Allahu është i vetmi Zot dhe Muhamedi është biri i tij. Gjuha e përdorur në tekstin shkollor nuk është korrekte në kontekstin e asaj që përfaqëson besimi Islam, në besimin në një Zot të vetëm dhe Muhamedi është i dërguari i Tij, dhe JO biri i tij dhe rrjedhimisht është i pasaktë. Ju kujtojmë se, përsa i përket botimit të teksteve shkollore që kane lidhje me çështje fetare, Komuniteti Mysliman të Shqipërisë është i gatshëm të ofrojë konsulencën e duhur komisionit të miratimit të teksteve shkollore.”
Pas kësaj kërkese, MAS ka siguruar Komunitetin Mysliman se faqja ku është konstatuar pasaktësia është rishtypur.
“Menjëherë kemi kontaktuar me botuesin “Mediaprint”, botues të cilit i takon teksti “Sociologjia 11”, në të cilin është konstatuar pasaktësia… Ky botues ka marrë masat, duke rishtypur faqen ku është konstatuar pasaktësia dhe duke organizuar shpërndarjen e saj në shkallë vendi, tek të gjithë nxënësit që janë pajisur më këtë tekst”, – thuhet në shkresën e Ministrisë së Arsimit.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: