Deputeti Fatmir Xhafaj ka folur lidhur me fushatën elektorale të 25 prillit ku në këto zgjedhje ai dhe të tjerë funksionarë të lartë të Partisë Socialiste ndodhen në të ashtuquajturën “vijë zjarri”.

I ftuar në emisionin “Real Story” në News24, ish-kreu i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi tha se e pranoi me siguri të plotë këtë sfidë ashtu si kolegët e tij socialistë për të qëndruar i 23 në listën e Tiranës.

Xhafaj tha se do e pranonte këtë sfidë edhe nëse do ishte i pozicionuar i 30 sepse ka një betejë të filluar dhe do ta çojë deri në fund.

“Zoti Veliaj është drejtues politik i qarkut. Mund të jetë dhe një besim shumë i madh që zoti Rama ka tek mua, pse të mos e marrim dhe në këtë mënyrë. Nuk ka rëndësi. Mund të isha dhe i 30 dhe do merrja pjesë në këtë garë sepse unë kam një betejë të filluar dhe do ta çoj deri në fund. Do luftoja dhe do të garoja dhe sikur të isha i 30 njësoj si të isha i pari. Beteja është çuarja deri në fund e reformës në drejtësi dhe do ta bëj këtë pavarësisht kostove. I kam marrë parasysh të gjitha këto kosto.
Nuk ka rëndësi në cilin pozicion jam. E vetmja gjë që kam kërkuar në kryesi cili ishte kriteri apo standardi që ishte aplikuar. Më dha një përgjigje zoti Veliaj dhe në mbështetje të tij zoti Rama. Mbaroi shpjegimi për mua. Kam 20 vjet në PS dhe nuk gjendet një rast i vetëm që unë të kem kërkuar se ku është karrigia ku do ulem unë. Nuk gjendet një rast i vetëm që unë të kem bërë betejë për hallin tim, që të kem bërë debat në PS për interesin tim personal, për karrigen ku duhet të ulem unë. Nuk ka asnjë rast në këto vite që unë të kërkoj të jem ministër, të shkel apo t’u vë bërryla të tjerëve për të qenë ministër. Kam bërë disa beteja elektorale dhe nuk kam asnjë betejë të humbur gjatë këtyre viteve. Nuk kam parë ku jam unë, po ku është ekipi. Beteja e madhe është me kundërshtarin. Beteja për t’u konfirmuar PS. Edi Rama është kreu i PS, në statutin e partisë është e shkruar e zeza mbi të bardhë që ka të drejtën për të qenë kryeministër”, tha Xhafaj

I pyetur për ndonjë lloj ‘trajtimi’ nga të tjerët, Xhafaj tha se nuk mendon se është e rëndësishme për qytetarët se ku jam ulur unë.
“Është shumë e rëndësishme beteja që do bëjmë në këtë proces zgjedhor, çfarë do na japin si besim. Nuk ka rëndësi vendi, numri i secilit nga ne, e rëndësishme është çfarë performojmë, çfarë kemi bërë dhe sa gëzon besimin e socialistëve dhe zgjedhësve. E mundëson vetë sistemi. Sa kohë është një sistem me lista të hapura nuk ka vend ky diskutim. Mund të ketë diçka që nuk shkon por nuk ka vend për diskutim. Është ndërtuar një skuadër, secili nga ne për skuadrën tjetër mund të japë gjykimin e vet”, theksoi Xhafaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb