Deklarata e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Christian Mickoski, se “350 euro në muaj janë të ardhura të mira për të jetuar” ka shkaktuar reagime të ashpra dhe komente ironike. Mickoski e bëri këtë deklaratë teksa argumentonte pse nuk do të ketë rritje të pagës minimale në vend, raportojnë mediat e huaja.
Reagimet u shtuan pasi lideri i partisë Levitsa (E Majta), Dimitar Apasiyev, e kritikoi Mickoskin në rrjetet sociale, duke e akuzuar për hipokrizi. “Kryeministri që mban një orë me vlerë 60 mijë euro deklaroi sot para popullit: ‘Nuk do të ketë rritje të pagës minimale’. ‘Mund të jetohet mirë me 350 euro në muaj’”, shkroi Apasiyev.
Ndërsa shifrat e përmendura nga Apasiyev mund të jenë të fryra, vetë Mickoski ka deklaruar në Komisionin Kundër Korrupsionit se zotëron ora luksoze me vlerë të përgjithshme mbi 52 mijë euro. Megjithatë, në dokumentet zyrtare nuk specifikohet numri i saktë i orëve apo marka e tyre.
Hulumtimet gazetareske kanë zbuluar se Mickoski ka në zotërim të paktën dy ora të markës zvicerane “IWC Schaffhausen”, e njohur për modelet ekskluzive që nuk janë lehtësisht të disponueshme në tregun vendas. Për t’i blerë, ai do të duhej të udhëtonte jashtë vendit dhe të priste në listat e rezervimeve.
Në deklaratën e fundit, Mickoski ka pohuar se orët i ka blerë në mars të vitit 2015 dhe në qershor të vitit 2016, kur drejtonte ndërmarrjen shtetërore të prodhimit të energjisë elektrike. Ndryshe nga prona e tij prej 343 metrash katrorë, për të cilën ka dhënë detaje mbi çmimin e blerjes, ai nuk ka sqaruar mënyrën se si i ka financuar orët luksoze.
Në dalje të mëparshme, Mickoski është shfaqur me një orë të zezë “IWC Big Pilot”, e cila e re kushton rreth 13,500 euro. Dy javë më parë, si kryeministër, ai u pa me një tjetër model të “IWC Schaffhausen”, që sipas ekspertëve kushton rreth 6,500 euro në tregun zyrtar.
Ndërsa në tregun e orëve të përdorura çmimi i këtyre modeleve mund të bjerë me 10-20%, ato mbeten aksesorë të kushtueshëm, veçanërisht për një lider që argumenton se 350 euro në muaj mjaftojnë për një jetë të rehatshme.