Analisti Shpëtim Nazarko komentoi në rubrikën “Opinion”, në News24, zhvillimet e fundit politike, duke e cilësuar një hap pozitiv marrëveshjen politike për Reformën Zgjedhore.

“Pa diskutim që çdo gjë që lidhet me pajtim është shumë e mirë. Por, Shqipëria gjendet përballë negociatave me BE, ka kryesimin e OSBE, dhe përveç kësaj ka ca ngjarje të brendshme që do të shtonin fatkeqësinë, se akoma nuk kemi mbaruar me problemet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Besoj që jemi në një situatë të favorshme, pasi Franca, si kundërshtari kryesor i negociatave, e ka zbutur qëndrimin e vet. Duket ndikimi i saj në Ballkan, nuk është aq e fortë. Pra, kryesia e radhës së OSBE, janë të gjithë faktorë që tregojnë se Shqipëria po merr rrugën e mbarë. Negociatat janë hap shumë i mirë për të dalë nga kriza”, tha Nazarko.

Më tej, analisti Nazarko vlerësoi strategjinë e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke thënë se përgjatë këtyre viteve bëri një lojë të mirë, pasi me këtë sistem PD mund të ishte përçarë edhe më shumë.

“Sot dhe dje kam parë pakënaqësitë e para të LSI, ose dyshimet se diçka ka në prapaskenë. Edhe në një intervistë të Presidentit ndihej një far krisjeje. Mendimi im është që Basha ka luajtur lojën e një lojtari, me atë miell që ka pasur nëpër duar, ka gatuar lojën më të mirë që ka mundur. Me këtë sistem që është, mund të kishim çarje më të madhe të PD, por përgatitja për një reformë reale zgjedhore është mënyrë racionale të menduari nga Basha”, deklaroi analisti.

Pjesë nga intervista:
Analiza juaj e sotme … Jozefina mallkon, Berisha e Meta heshtin, Basha heziton, Rama nënqesh …
Në shah ka një ngjashmëri me analizën, pasi në shah fiton ai që ka strategji dhe jo taktik. Në artikull i jam përmbajtur një plani. Deri më 2017 janë bërë 5 zgjedhje, kombëtare dhe lokale, ku 3 i ka numëruar opozita e sotme, që është jashtë parlamentit. Vjedhja e votave nuk është diçka e re këtu, kush ka pushtetin, i fut duart. Nga 2009-20113, kur votat e ka numëruar PD, votat e saj kanë rrjedhur. Prandaj nuk mund të pranosh vjedhje votash, kur ti i numëron vetë. Këto janë të dy parti që vijnë nga i njëjti brumë, pavarësisht përrallave që i tregojnë popullit. Përballja në 30 vite ka treguar se PS ka pasur më shumë vota se PD, dhe diferencën e ka bërë LSI.
Po të vësh re numrat, vihet re që votat e PD nuk kanë firuar se ka ikur PD, por se ua ka lënë aleatëve, LSI e PDIU, pasi këto dy parti janë fryrë nga 3-4 herë. Këto parti ia mbathën te PS më 2013 dhe morën me vete edhe votat.

Po tani që janë mbledhur sërish bashkë?
Më 2017, të gjithë flasin për një pazar, për mua ka qenë i thjeshtë. BAsha ose duhet të vazhdonte taktikën e Berishës, të mbante brenda LSI e PDIU, ose përballjen tradicionale PD-PS. Pazari ishte i thjeshtë, që LSI duhet të ikte në shtëpi, ose votat që kishte marrë t’i çonte te PD. Po të flasim me gjuhë të thjeshtë, thuhej që do shkatërrohej LSI. Ky plan nuk funksionoi, pasi ndërhyrja e Metës, ose bashkëpunimi i tij me Berishën, bëri që PD të mbante sërish një derë të hapur për LSI, pra ngelën sërish në ujërat e vjetra. Por, duke ditur që PS ka më shumë vota, LSI mbajti krahun. Edhe PS me siguri ka futur dorë në zgjedhje më 2015.

Shqipëria duhet të heqë dorë nga kjo mënyrë komuniste e numërimit të votave, që është e turpshme. PS e kërkon këtë gjë për një arsye shumë të thjeshtë. Politizimi i komisioneve ka pasur një tentativë tjetër, që partitë e vogla bënin aleancë me partitë e mëdha, dhe ky ishte një akt tjetër i mëtejshëm kriminal, që katandisi këtë Shqipëri pa formë, siç është sot. Pika e dytë e rëndësishme është pjesëmarrja e emigrantëve, sepse ata na kanë mbajtur me para këto 30 vite. Janë gati gjysma e Shqipërisë, që kontribuon, por që nuk voton.

Pse thoni që Jozefina mallkon?
Në taktikë ajo ka të drejtë, se i duket sikur Basha po bën kompromis. Por, taktika ndryshon nga strategjia. Jozefina nuk kupton që taktika e ndjekur nga 2009, nuk ishte tjetër veçse shartim i mollës me dardhën, ku LSI doli më e fortë. Po ta kuptonte lojën atëherë kur ishte kryetare e Kuvendit, duhet t’i thoshte Berishës “ku po shkojmë me këtë lojë”. Jozefina mallkon kot, sepse mallkimi i saj do të kishte vlerë, nëse do të shihte me sy, ose t’i besonte analizës matematike.

Çfarë duhet të kishte bërë PD ndryshe?
Nëse shkon në sisteme tjera, duhet të llogaritësh se nëse shkoj me LSI, çfarë ndodh, nëse ajo ikën? PD jo vetëm u bashkua me LSI, por i dha dhe Ministrinë e Bujqësisë, dhe nëse kujtoni ka pasur financime të çuditshme. LSI është e njohur për pragmatizmin e vet për të lëvizur sa në një krah në tjetrin. Jozefina dhe të tjerë duhet të kishin bërë një analizë shumë më të thellë. Më 2009, Basha ka qenë i dënuar të mos futej në zgjedhje. Basha duhet ta zgjidhë këtë hall. Meta është i detyruar të heshtë, sepse pret cili do të jetë vendimi i Bashës. Nëse Rama nënqesh, sepse ka një gur shumë të fortë. Nëse kjo përplasje përfundon në PD dhe PS, jam i bindur se 90% e LSI shkon në vatrën e vjetër, andej nga ka ardhur.

PD duhet ta mbajë apo lërë jashtë LSI?
Sot dhe dje kam parë pakënaqësitë e para të LSI, ose dyshimet se diçka ka në prapaskenë. Edhe në një intervistë të Presidentit ndihej një far krisjeje. Mendimi im është që Basha ka luajtur lojën e një lojtari, me atë miell që ka pasur nëpër duar, ka gatuar lojën më të mirë që ka mundur. Me këtë sistem që është, mund të kishim çarje më të madhe të PD, por përgatitja për një reformë reale zgjedhore është mënyrë racionale të menduari nga Basha.

Vendimi për të shkuar në një zgjidhje përfundimtare të problemit, ose gjetja e një sistemi që shkatërron këtë trinom, është një vendim i logjikshëm. Por, Basha është vetë i dyzuar, ose i frikësuar, sepse nuk dihet si do jetë presioni. Kurse Rama e ka më të thjeshtë problemin, se sheh në mënyrë të drejtpërdrejtë sherrin, por edhe me ndërkombëtarët i ka punët mirë, pasi Shqipëria ka kryesimin e OSBE. Opozita duhet të mbajë dhe një barrë tjetër mbi kurriz, që janë deputetët e rinj. Basha ka qenë konsekuent dhe i qetë në planin e vet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb