Të flesh me frikën se e nesërmja mund të të gjejë nën rrënoja. Ky makth i ka kapur të gjithë në familjen Deda nga fshati Kërrabë, afër 20 kilometra larg Tiranës. Që sa hyn në oborr duken qartazi shenjat e rrëshqitjes që ka pësuar toka nën shtresën e betonit të varfër.

Të çarat e shumta në muret e shtëpisë janë ende të dukshme me sy të lirë, edhe pse familja është përpjekur tua fshehë fëmijëve, duke i arnuar me ç’të mundet.

Pas tërmetit, e zonja e shtëpisë me djalin e vogël ka gjetur strehë te vëllai i saj, po siç thotë dhe vetë, nuk ka vend për të gjithë, ndaj dhe pjesa tjetër e familjes dy djemtë më të rritur 15 dhe 20 vjeç, si dhe bashkëshorti kanë vendosur të sfidojnë fatin, duke vazhduar jetën brenda karkasës së vjetër, që mbart dëmet e tre tërmeteve të 2010, 2018 dhe tërmetit të tmerrshëm të 21 shtatorit 2019.

E pyesim Fluturën se përse nuk është strehuar në qendrat e emergjencës, por përgjigja që marrim është shokuese. Gruaja thotë se askush nga emergjencat civile nuk i ka trokitur në derë.
Nga e zonja e shtëpisë mësojmë se objekti ku ajo jeton ka akoma të pambyllura dëmet e tërmetit të vitit 2010. Ish-komuna i ka akorduar asokohe 200 mijë lekë të reja për rikonstruksionin e çatisë, por paratë sipas familjes kanë qenë të pamjaftueshme në raport me dëmtimet e pësuara, të cilat janë shtuar ndjeshëm me tërmetin e fundit.

Por rreziku i mbetjes totalisht pa strehë është vetëm një nga hallet e shumta që kanë rënë mbi familjen e varfër.

Me sytë plot lot gruaja tregon se i biri vuan nga dy sëmundje të rënda dhe kurohet njëherazi si për astman bronkiale dhe për një sëmundje të rëndë në zemër të diagnostikuar 5 vite më parë. Përmes shkresave të shumta të lëshuara nga spitali “Nënë Tereza”, ku fëmija ka marrë vazhdimisht trajtim të specializuar mjekësor mësojmë se djali 9-vjeçar vuan nga anomalia e lindur Foremen ovale, që në gjuhën popullore njihet si vrimë në zemër.

Familja nuk ka para, pasi nga 5 anëtarët vetëm kryefamiljari sjell pak të ardhura në shtëpi. Me rrogën e vogël prej 25 mijë lekë, që merr si roje objekti familja e varfër nuk di se ç’të bëjë më parë. Të rrisë fëmijët e t’i shkollojë, të kurojë djalin e sëmurë apo të rregullojë shtëpinë, që po i zë nën vete, e cila edhe pa një sy eksperti dëshmon qartë se mezi mbahet në këmbë dhe nuk mund të durojë edhe një tërmet tjetër si ai datës 21 shtator.

Kontaktuam përmes telefonit me kreun e njësisë administrative Kërrabë, z Alfred Braja, i cili garanton se shtëpia nuk paraqet asnjë rrezik shembjeje dhe se, sipas tij, familja ka shpërdoruar ndihmën financiare që shteti i ka ofruar në dy tërmetet e para në 2010 dhe në 2018 për riparimin e çatisë dhe dëmeve të tjera.

Po sipas administratorit, shtëpia përdhese ku jetojnë 5 anëtarët e familjes Deda nuk ka shfaqur asnjë dëm të ri në konstruktin e saj mbajtës, përjashtuar dëmet e mëhershme të dy tërmeteve të vitit 2010 dhe 2018.

Por, shpjegimi që bën kreu i njësisë vendore është kontradiktor me vetveten, pasi fillimisht pranohet se shtëpia është dëmtuar dy herë në 2010 e 2018, është klasifikuar si e tillë ndaj dhe janë alokuar fonde nga shteti për rikonstruksionin e saj, të cilat nuk janë investuar nga familja. Ndërsa në fund jepet garanci se shtëpia nuk ka rrezik shembjeje, edhe pas tërmetit të fundit që ishte dukshëm më i fortë se dy tërmet e tjerë.

Pas insistimit tonë, kreu i njësisë vendore pohon se do të kërkojë ekspertizën e inxhinierëve përgjegjës për të llogaritur shkallën e rrezikut të shtëpisë.

E derisa shteti të llogarisë rrezikun që nuk e ka bërë në harkun kohor të dy javëve, familjes së varfër nga fshati Kërrabë si mbetet veçse t’i lutet qeverisë dhe njerëzve të thjeshtë për ndihmë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb