Ish-presidenti Donald Trump me anë të një videoje të re ka deklaruar se ai mund t’i japë fund luftës në Ukrainë brenda 24 orësh, teksa ka vendosur sërish në shënjestër Presidentin Joe Biden për “dobësi” në skenën ndërkombëtare.

Teksa lufta po i afrohet përvjetorit të saj, Trump tha se Perëndimi dështoi t’i dërgonte një mesazh të qartë presidentit Vladimir Putin se çdo ndërhyrje në territorin ukrainas do të ishte e papranueshme.

“Po të isha president, lufta e Rusisë në Ukrainë nuk do të kishte ndodhur kurrë, kurrë as për një milion vjet”, tha ai në një nga dy videot e siguruara nga DailyMail.

“Por edhe tani, nëse do të isha president, do të isha në gjendje të negocioja një fund të kësaj lufte të tmerrshme dhe të përshkallëzuar me shpejtësi brenda 24 orëve. Mund të bëhet. Duhet të thuash gjërat e duhura, jo gjërat e gabuara”, u shpreh Trump.

Trump po ashtu akuzoi Biden për hipokrizi pasi javën e kaluar kreu i Shtëpisë së Bardhë njoftoi se po dërgonte një batalion tankesh M1 Abrams.

“Dobësia dhe paaftësia e Joe Biden na ka sjellë në prag të luftës bërthamore dhe tani ai po bën atë që tha 10 muaj më parë se do të çonte në Luftën e Tretë Botërore. Ai po dërgon tanket amerikane”, u shpreh i indinjuar ish-presidenti i SHBA.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: