Ish- Presidenti Bujar Nishani ka komentuar deklaratat e autoriteteve më të larta përshi edhe Presidentit Donald Trump në SHBA se situata me koronavirusin mund të vijojë deri në korrik.

Sipas Nishanit duket se prezenca e virusit do të jetë e gjatë por kjo nuk duhet të panikojë qytetarët. Sipas tij më e rëndësishmja është maturia dhe eskperienca e secilit qytetar për të marrë masat.

Nishani thotë se e vetmja gjë nga e cila duhet të kemi frikë është vetë frika, duke cituar ish- Presidentin e SHBA Franklin Roosevelt.

 

 

STATUSI I BUJAR NISHANIT

 

Të nderuar miq, uroj që gjithëseicili prej jush dhe të gjithë të dashurit tuaj të jeni mirë këto ditë prove të vështirë.
Do të dëshiroja të ndaja me ju rëndësinë e madhe që kanë këto ditë, disa elementë shumë të rëndësishëm për gjithëseicilin prej nesh.
Së pari respektimi i fortë i masave verëmbrojtëse mjekësore ndaj virusit, sipas këshillave që japin mjekët çdo ditë.
Shmangia maksimale e kontakteve të afërta me persona të tjerë gjatë kohës kur për arsye bazike jemi jashtë apo ambjente publike.

Në çdo rast të tillë duhet të jemi me doreza dhe maskë në fytyrë dhe distancën e duhur nga njeri tjetri.
Përdorimi i shpeshtë i lëngjeve të ngrohta në shtëpi është një ndihmë e madhe për shëndetin e trupit tonë.
Kujdesi i situatës sonë emocionale dhe kujdesit ndaj stresit është po aq i rëndësishëm këto ditë.
Komunikimi me miqtë përmes rrjeteve sociale është një ndihmë e madhe për situatën tonë psikologjike.
Sa më pak kontakte me lajmet mediatike rreth virusit (shpesh të ekzagjeruara për qëllime komerciale të tyre) e sa më shumë kontakte me programe kulturore e arti në mediat që kemi në dispozicion, do të ishte një ilaç i mirë psikologjik.
Duket se situata e prezencës së virusit do të jetë e gjatë.

Askush nuk mund ta thotë me siguri, por nga sa kam ndjekur nga deklaratat shumë serioze të autoriteteve më të larta dhe më të mirë-informuara në SHBA, mundet që të vijojë deri afër muajit korrik.
Kjo nuk duhet të na panikojë, pasi nëse ne e organizojmë dhe menaxhojmë jetën tonë sipas këtij stili të sotëm për një muaj, nuk përbën asnjë problem të kalojmë edhe 2 apo 3 muaj në këtë organizim.
Le të kujdesemi për të planifikuar pasjen e produkteve ushqimore në shtëpi për një kohë të caktuar, pa panik por vetëm për të reduktuar sa më shumë kohën e qëndrimit pa dalë jashtë në dyqanet e furnizimit.

Këtë shënim nuk e hodha për t’ju thënë gjëra që nuk i dini, përkundrazi eksperienca dhe maturia e gjithëseicilit prej jush është një pasuri.
Kryesisht dëshiroja të nënvizoja se sa i rëndësishëm mbetet komunikimi midis njëri tjetrit.
Po e mbyll këtë shënim me një thënie nga Presidenti Franklin Roosevelt: “The only thing ëe have to fear is fear itself.”
(E vetmja gjë nga e cila duhet të kemi frikë, është frika vetë). 😀
Shëndet e mbarësi për të gjithë, miq !

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb