Nga: FITNETE GRUDA*
Ndërsa nga rangjet më ta larta promovohen arritje në arsim ne natyrshëm fi llojmë të mendojmë mbi arritjet në raport me shkollën. Promovimi i arritjeve është një arritje më tepër, por do të ishte e udhës të kthehen sytë seriozisht nga shkolla ndonjëherë, aty ku hidhen bazat e arsimit, aty ku janë ulur apo do të ulen, pak rëndësi ka, edhe fëmijët tanë. Një vështrim nga ana formale me anë të të cilit del menjëherë panorama e të funksionarit të veprimtarisë së shkollës, shumë më e qartë se sa statistikat apo informacionet e thata, madje dhe më shumë se sa një qëndrim një apo disa ditor në shkollë. Vështrimi dhe nxjerrja e konkluzione pa marrë parasysh se cilës miqësie apo force politike i përkasin drejtuesit e saj dhe ata që korrektësinë nuk e njohin praktikisht, do të ishte dhe një arritje tjetër. Ky vështrim bën edhe dallimin midis rastësisë dhe vijueshmërisë, gabimeve njerëzore dhe të pafalshmet. Një vështrim jo thjesht i dokumentacionit të plotësuar “me aksion”, pas një sinjali për kontroll nga drejtoria dhe aq më keq kur ky sinjal nuk u jepet të gjithë punonjësve. Apo zbatim të disiplinës formale vetëm për ditët e sinjalit. Ky tip kontrolli nuk do të përmirësonte asgjë, madje do të linte më shumë shteg për moskorrektësi në punë në të ardhmen dhe do të çmotivonte të rregulltit. Pse jo dhe në drejtoritë arsimore ku disa inspektorë po bëhen të pazëvendësueshëm dhe mbijetojnë në çdo situatë, më të fuqishëm se sa punonjësit e administratës që kanë fituar statusin e nëpunësit civil, e pikërisht janë ata tipa që bëhen palë me moskorrektët nëpër shkolla. Mos vallë është një rastësi që dhe në shkolla kanë mbijetuar gjithnjë drejtues në ngjashmëri me inspektorët në fjalë, ata që dhe në 2013 ishin në renditjet e drejtorëve që morën pezullim nga MAS për keqpërdorim të bordit të shkollës!!E kësisoj kanë të drejtë “të fryhen” si të paprekshëm. Një vështrim mbi disiplinën formale në punë; respektimi i orës së mësimit (në veçanti orët e 7–ta…);rregullat e përcaktuara a respektohen për të gjithë njësoj, në mënyrë të paanshme, të drejtë dhe racionale; a ka transparencë në shkollë; a ka ngrohje shkolla në këtë të ftohtë apo instalimet për ngrohjen kanë mbetur formale, e pakta a është zgjidhur ngrohja nëpërmjet bordit të shkollës; a ka mjete të domosdoshme për të zhvilluar mësimin, apo një pjesë të tyre i sigurojnë vetë nxënësit; a ka mbetur laptop nëpër shkolla për të zhvilluar orët e lira të cilat zënë rreth 20 % të programit lëndor, pasi në 2009 në të gjitha shkollat MASH ka shpërndarë nga 4 laptop në dispozicion të departamenteve lëndore në funksion të nxënësve. Ndoshta disiplina formale nuk ndryshon diçka në institucione të tjera, ndërsa në institucione arsimore ku bëhet fjalë për mësimin dhe edukimin e fëmijëve, kjo flet shumë. Është mëse e nevojshme kompaktësia si kudo dhe në stafet pedagogjike, e përkthyer me termin shumë të përdorur vitet e fundit “punë në grup” dhe kjo kompaktësi futet tek arritjet. Por kompaktësi nuk nënkupton bërjen pjesë e kulisave për interesa personale apo, bërjen kompromis me të keqen por, të gjithë bashkë drejt një qëllimi të përbashkët, arritjen e synimit të shkollës. Drejtuesit transparent në veprimtarinë e tyre krijojnë në institucion një kulturë të transparencës. Në një institucion ku mungon transparenca dhe komunikimi i hapur nuk mund të pretendohet për kompaktësi. Është për t’u admiruar tendenca e atyre drejtuesve për të pasur qetësi në institucion (këtu kam parasysh edhe drejtuesin e shkollës ku unë punoj tani), por jo kthimi i saj si qëllim në vetvete dhe jo në funksion të përmbajtjes. Përderisa qetësia nuk shkon në raport të drejtë me disiplinën dhe rrjedhimisht me cilësinë, ajo është qetësi e predikuar në interesin e tyre personal, një show për ta paraqitur si arritje. E thënë ndryshe në gjuhë të thjeshtë, një marrëveshje e heshtur, “po ju lë rehat të bëni ç’të doni dhe ju më lini mua të qetë, mos ngrini probleme”, ose duke specifikuar mbështetjet në MAS apo DAR. Për këtë tip “marrëveshje” mund të jenë të gatshëm ata që duan të përfitojnë ose servilët. Disa zgjedhin të heshtin përballë këtyre situatave dhe pse të heshtësh është njësoj si të bëhesh njësh me ata që i kryejnë këto veprime. Por, ndoshta dhe kanë të drejtë kur shohin sjellje arrogante deri në kërcënime “ta tregojmë ne “ndaj atyre që reagojnë ndaj mungesës së transparencës dhe standardeve të dyfishta. Po ç’kuptohet me “Ne” vallë!! Në të tilla ambiente njerëzit korrektë dhe me parime vetjake dhe pse ato u kushtojnë, bien viktimë e korrektësisë dhe e parimeve të tyre. Dhe dashur padashur kjo frymë përcillet tek nxënësit. Unë mendoj që, debatet që kanë si qëllim rritjen e performancës së shkollës, të shihen nga drejtuesit si kontribut. Kohët e fundit është rritur numri i nxënësve që bëjnë video në shkollë për të denoncuar mësuesit dhunues. Mos vallë kjo ka lidhje me problemin e disiplinës në shkollë?!!Jam absolutisht dakord që të denoncohet dhuna në shkolla, por drejtuesit konseguent e zbulojnë atë në forma nga më të ndryshme. Forma më efikase është krijimi i raporteve të drejta dhe të vazhdueshme me Qeverinë e Nxënësve. Gjithashtu është e rëndësishme denoncimi i të gjitha rasteve të dhunës dhe jo për mësues të veçantë e raste flagrante mund të fshihen. Kjo bie në kundërshtim me ligjin që nxënësi nuk duhet të mbajë celularë në shkollë. Në këtë rast lind nevoja ose e ndryshimit të këtij ligji, që do të thotë lejimin e celularit në shkollë ose, shmangja e përdorimit të celularit(e cila nuk është e lehtë nëse nuk është kërkesë kompakte dhe e vazhdueshme)dhe gjetja e rrugës së duhur për të identifikuar dhunën në shkollë, përtej pyetësorëve që shpesh deformojnë realitetin. Kësisoj lipset që, ligjet të bëhen të mirëmenduara që të kenë mundësi zbatimi. Flitet që mësuesit nuk e quajnë të drejtë testim e zhvilluar nga MAS, por vallë sa nga mësuesit ia kanë shprehur këtë mendim drejtorisë së shkollës në takimet e saj me këshillin e mësuesve, për t’ia përcjellë më lart shqetësimin, para se të zhvillohej testimi !!!Ky mosguxim, mos ndoshta flet për mungesën e komunikimit të hapur në shkollë!!Thelbi i asaj që dua të ngre nuk është, se u cenova “Unë” ,”Ti”, “Ai”, “Ajo” por, problemi është si të ndryshojmë dhe çfarë të ndryshojmë, që të rrisim cilësinë dhe të kemi arritje reale, nëse për ne të gjithë shqetësimi i vërtetë janë arritjet e nxënësve. Unë vazhdoj ta përsëris, çelësi i suksesit është disiplina dhe kjo vihet nëse vetë drejtuesit janë korrekt dhe rrezatojnë drejtësi. Në të kundërt cilësia do vijë gjithnjë në ulje dhe në shkollë mund të ndodhë gjithçka.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: